(Pa)varësia evropiane

(Pa)varësia evropiane

Nga Blerim Reka - 09/05/2022

Dita e Evropës, po e gjen Evropën, të varur jashtë Evropës: nga mbrojtja amerikane, nga tregtia kineze dhe nga burimet energjetike ruse.

1.

BE-ja po e synon "armatën evropiane", por pa SHBA-të, kufijtë e saj që moti do të ishin prishur. Siç u prishën kufijtë e shteteve jo-anëtare të NATO-s në Moldavi, Gjeorgji e Ukrainë. Siguria e BE-së, pa SHBA-të, është e paimagjinueshme. Invazioni rus në Ukrainë, dëshmoi se pa mbrojtjen amerikane, nuk ka Evropë, sepse perëndimi mbrohet në lindje.

Ukraina është rubikoni që nuk guxon të kalohet.

2.

Energjetikisht, BE-ja ende nuk është e pavarur. Mbi 400 milionë Euro i paguan në ditë për gazin rus. Javën e kaluar, dështoi konsensusi i BE-së edhe për embargon ndaj naftës ruse, pas kundërshtimit të Hungarisë, Sllovakisë dhe Çekisë. "Evropa sovrane" e Macron, vështirë do të krijohet me 27 veto të shteteve anëtare. Kryeministri italian, Dragi propozoi heqjen e vetos për vendimet e politikës së jashtme të BE-së, por kjo ka pak gjasa të kalojë, sepse unilateralizmi është ende më i fortë se multilaterilizmi; sovranistët më të fuqishëm se unionistët.

3.

BE-ja, mbetet e varur edhe nga tregtia me Kinën. Në vitin 2021, BE-ja shënoi rekordin e deficitit tregtar me Kinën prej 249 miliardë Euro. Brukseli po mundohet të mbrohet nga ky ekspanzion tregtar kinez me "gate" politikën e tij kufizuese, por Pekingi po kundërpërgjigjet me strategjinë: "Pick and Choose", duke joshur individualisht shtetet anëtare të BE-së, para bllokut si tërësi. Nisma kineze “16+1”, tashmë po punon me shtetet anëtare e jo me BE-në.

Invazioni rus në Ukrainë, na mësoi se vetëm Evropa e mbrojtur nga SHBA-të, e pavarur nga gazi rus dhe kreditë kineze, mund të garantojë sigurinë euroatlantike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco