Turp për Kosovën që feston, turp për BE-në që na izolon

Turp për Kosovën që feston, turp për BE-në që na izolon

Nga Syri.net Kosova - 09/05/2022

Kjo e hënë do të duhej të ishte një ditë proteste, e jo feste. Por, edhe 9 Maji, futet te çudirat kosovare. Këtu nuk na ka faj as BE-ja. Politika e Kosovës, e mban Ditën e Evropës, si një Festë Zyrtare, edhe pse asnjë arsye më të vogël nuk ka për të kremtuar diçka.

Për politikanët e të afërmit e tyre, që janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë, në sajë të pushtetit, apo kanë pasaporta diplomatike dhe pajisja me viza Shëngen nuk ka qenë kurrë as problem e as shpenzim, nuk ka asnjë brengë në këtë drejtim.

Ata u bashkohen festimeve ‘evropiane’ në mes të Prishtinës, me fjalime e statuse Facebook-u, duke harruar getoizimin e pafund të Republikës.

Shampanjat u hapën disa herë, por regjimi i vizave ndaj shtetasve kosovarë, mbeti në fuqi. Edhe më i ashpër. Sot, për të marrë një vizë Shëngen, tarifa ka mbërritur 4-5 mijë euro. Të bësh termin, po, kjo është një arsye për të festuar.

BE-ja, e themeluar si një bashkim ekonomik e më pas politik, në qendër e ka lëvizjen e lirë të njerëzve e të kapitalit. Ndaj Kosovës, po e promovon të kundërtën.

Çfarë kanë më shumë vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që janë të liruara nga ngarkesa e vizës? Përkundrazi, Kosova, mund të ketë disa cilësi më tepër.

Një pjesë e fajit pa dyshime bie mbi qeveritë kosovare, që liberalizimin e vizave, e përdoren si karrem elektoral deri sa mbërritëm në një pikë, sa asnjë partie nuk i interesonte të liberalizoheshin vizat.

Qindra mijëra të rinj, janë të gatshëm fatkeqësisht ta braktisin Kosovën, në kërkim të një jete më të dinjitetshme në perëndim. Me gjasë, kosovarët do të presin sërish derisa të dëshmohet se pushteti i ri, do t’ua kthejë qeteësinë dhe interesimin për të qëndruar në atdhe.

Por, pavarësisht përpjekjeve të pushtetit të Kurtit, interesimi për të emigruar mbetet dramatik. Pritjet e mëdha dhe arritjet modeste, vetëm sa e kanë forcuar nevojën për të ikur.

Vendet si Franca, që mbeten pengesë e fortë për heqjen e regjimit të vizave, po e persekutojnë një popull të tërë, pa asnjë arsye. Kriteret politike dhe teknike, gati të dyfishuara në krahasim me shtetet fqinjë, janë përmbushur nga Kosova.

Përse izolimi vazhdon edhe më tutje?

Ky 9 maj, do të duhej së paku ta dërgonte një mesazh të fuqishëm proteste, pakënaqësie dhe zhgënjimi ndaj BE-së. Kjo urtësi e tepruar e kosovarëve, po keqpërdoret nga qendrat evropiane, të cilat vazhdojnë të na trajtojnë kësisoj si vende të kategorisë së tretë.

E pafalshme dhe e padurueshme.

Në vend të urimit, turp për ata vendimmarrës evropianë, që gojën e kanë plot fjalë të mëdha, por vazhdojnë ta mbajnë peng e të izoluar një popull të tërë në këtë kënd të Ballkanit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco