Lajçaku po i bën dëm Kosovës

Lajçaku po i bën dëm Kosovës

Nga Enver Robelli - 09/05/2022

Dy gjëra nga burimet politiko-diplomatike europiane (me disa komente shtesë)

1.

Mirosllav Lajçaku nuk është duke luajtur rol konstruktiv si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë. Qëndrimet e tij në të shumtën e rasteve janë mirëkuptuese ndaj Serbisë, e cila luan rolin e sabotatorit të stabilitetit rajonal. Më shumë se njëherë Lajçak është demaskuar si negociator joserioz dhe me tendenca manipuluese që, në thelb, favorizojnë palën serbe dhe dëmtojnë Kosovën. E kaluara e tij si ambasador sllovak në Beograd dhe fakti se vjen nga një vend që pa asnjë arsye serioze nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, e diskualifikojnë atë si ndërmjetësues. Fatkeqësi është se ai gëzon përkrahjen e disa kryeqyteteve europiane me ndikim. Një president i mëhershëm i Kosovës, sipas dëshmitarëve okularë, i ka thënë direkt Lajçakut “gënjeshtar” për shkak se, përkundër premtimit, jo që nuk ka votuar për pranimin e Kosovës në Unesco, por Sllovakia ka votuar kundër. Presidenti i mëhershëm i Kosovës ka pasur të drejtë në zemërimin e tij. Spektri aktual politik i Kosovës, në pushtet e në opozitë, duhet të jetë i vetëdijshëm mbi rolin shpeshherë destruktiv të diplomatit sllovak. Muhabetet për targa nuk janë qenësore, në thelb dhe në qendër të debatit duhet të vihet kjo temë: njohja e Kosovës nga Serbia. I pëlqeu kjo apo jo presidentit serb, një palaçoje të oborrit të Kremlinit.

2.

Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe të diasporës janë vizitorët më të rëndësishëm dhe stimuluesit më të mëdhenj të turizmit në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, ka diplomatë të Tiranës që në takime me diplomatë perëndimorë para së gjithash e potencojnë rëndësinë e “përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë”, “ardhjen e turistëve serbë” dhe gjepura të ngjashme. Serbët vijnë në Shqipëri tri javë, shqiptarët e Kosovës harxhojnë para 12 muaj pandërprerë në Shqipëri. Politika e jashtme e qeverisë aktuale të Tiranës ndaj Kosovës është jokoherente, e fokusuar në interesa parciale dhe e bazuar në vlerësime krejtësisht të padrejta mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e rajonit. Serbia mendon se faji kryesor i Kosovës është ekzistenca e saj. Por Kosova nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje Serbisë që ka mbijetuar krimet serbe. Këtë fakt historik është mirë ta kuptojnë edhe politikanët sundues në Tiranë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco