Çka po ndodh? Krejt ‘paria e shtetit’ kanë marrë 'botën në sy'

Çka po ndodh? Krejt ‘paria e shtetit’ kanë marrë 'botën në sy'

Nga Astrit Veliqi - 08/05/2022

Në një kohë kur pothuaj krejt planetin e ka goditur një super inflacion i madh ekonomik, i cili nuk mbahet në mend për vite të tëra, shqetësimi të njerëzit po rritet se si do të përballohet kjo gjendje e vështirë ekonomike.

Krejt kjo si një ‘luftë’ mbijetese e cila si duket do të zgjasë, shto kësaj edhe ndikimin zinxhir të konfliktit i cili po vazhdon nga agresioni rus në Ukrainë.

E derisa atje qytetet ukrainase janë shkatërruar, ku pothuaj pjesa ma e madhe e tyre janë shndërruar në gërmadha tashmë, shumë njerëz kanë humbur jetën përfshi këtu edhe civilët, sikur janë gratë, fëmijët e të moshuarit.

E derisa jemi në ketë 'pikiatë të fortë' ekonomike, sikurse evropianët, amerikanët por edhe shqiptarët kudo po ballafaqohen me çmime astronomike, ku pothuaj çdo ditë të gjitha produktet pa përjashtim po pësojnë çmime rekorde.

Ku të ne, e vetmja masë nga Qeveria e vendit për përballimin e kësaj gjendje është marrë për ndarjen e shumës prej 100 euro, për disa kategori sikur janë pensionistët, shërbyesit civil, punonjësit e sektorit privat sikurse edhe për të gjithë studentët.

Kurse për familjet në nevojë, institucionet ka paraparë të ndajnë 1.7 milion euro për 34 mijë pako ushqimore në një vlerë prej 50 eurove.

Por... sa mjafton kjo kur nevojat janë mjaft të mëdha në vend, duke e ditur se qytetarët janë goditur edhe me herët nga pasojat e fuqishme të luftës me pandeminë, Covid-19.

Megjithatë, kjo ndihmë edhe pse e vogël, e zbutë sadopak gjendjen e vështirë të familjeve kosovare, megjithatë do të duhej të kishte vazhdimësi periodike, të paktën 3 mujore.

Sido që të jetë, si për çudi edhe në këtë gjendje, ‘paria e shtetit’, kanë marrë 'botën në sy', duke trokitur në dyert e Amerikës, por edhe disa liderë opozitarë ia kanë mësy Evropës.

Por pse ndodh kjo tani? A  ka ndonjë pretekst, apo këto vizita të shumta kanë qenë të planifikuara ma herët, ku presidentja Vjosa Osmani ka disa ditë që po zhvillon vizita në vendet e Amerikës Latine, sikur janë Panamaja, Kosta Rika etj.

Derisa edhe kryeministri Albin Kurti ka nisur vizitën e tij të gjatë zyrtare gati 10 ditore në SHBA, ku sipas njoftimit thuhet se atje ai do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

E si për çudi në Tel Aviv të Izraelit për herën e parë po qëndron edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.

E përveç liderëve shtetëror, jashtë vendit po qëndrojnë edhe disa liderë opozitar sikur është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili po zhvillon takime 'miqësore' në SHBA, derisa diasporën e Zvicrës po e ‘masivizon’ edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhku.

E i vetmi lider i cili supozohet të paktën se nuk ka udhëtuar jashtë vendit zyrtarisht është kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ajo që po shihet deri tani, përveç presidentes Vjosa Osmani, e cila po zhvillon takime zyrtare me homologët e shteteve përkatëse, kryeministri Albin Kurti deri tani ka zhvilluar vetëm një takim me  përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Sido që të jetë, Kosova dhe vendi ynë i vogël me shumë se kurrë ka nevojë që t’i hapë dyert e vendeve mike dhe aleate, ngase mbështetja për Kosovën është kruciale dhe mbetet hap i domosdoshëm për rrugëtimin e saj euro-atlantik.

Prandaj edhe këto vizita zyrtare të liderëve institucional, me shpresë se do i sjellin bonuse pozitive vendit, sidomos në diplomaci e cila ka vite që ka mbetur në 'qorrsokak', duhen parë me një sy të tillë lobimi, në mënyrë që vendi edhe ashtu me demokraci e veçmas me ekonomi të brishtë të këndellet dhe të rigjenerohet në të gjitha sferat shtetëndërtuese.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco