Për ambasadorin e Albinit

Për ambasadorin e Albinit

Nga Pal Shtufi - 24/04/2022

Martin Berishajn e kam mik, të cilin e njoh që nga viti 1990. Kurrë dhe në asnjë rast nuk e kam njohur e as kam dëgjuar për ndonjë aferë të tij. Të asnjë natyre. Me këtë nuk dua të them se përgjithmonë njeriu mbetët i pagabueshëm, por përvoja në të kaluarën është një lloj kriteri për të sjell përfundime logjike.

MARTINI POLITIKISHT

Që kur u bë ambasador i Albinit, Martini kurrë më nuk më ka shkruar privat. Publikisht, jo se jo. Ndoshta e ka kapluar frika se Albini ia kontrollon edhe mesazhet, ku ta di unë. Sidoqoftë, edhe kur ishte me Thaçin, Martini ka qenë i kujdesshëm që mos të komunikonte me të “dyshimtit” – si qifti im, për shembull. Por, nuk di a kuptoni se as këto që thash nuk kanë rëndësi për aferën, e cila e ka përcëlluar emrin e Martinit të Berishajve. 

AFERA E TRANSAKSIONIT

Sipas SHTP (Shërbimit Tim Privat) e hulumtova pak këtë aferën e ambasadorit të Albinit. Rezultatet po më dalin kështu: 

1. Martini paska kompani të rregullt në atdheun e tij, në Mal të Zi. 

2. Martini paska vepruar (konsulenca me lekë) në kohën kur nuk ka qenë ambasador i Kosovës.
3. GEN nuk qenka kompani e Serbisë... (lëshojani një sy çka është GEN-i)

Tani, pyetjet e mia janë këto: 
- Mbi cilën Bazë ligjore mund ta akuzojmë për ndonjë veprimtari të paligjshme njeriun, i cili as nuk ka kompani në Kosovë e as veprimtari në Kosovë, madje nuk kishta as shtetësi të Kosovës në atë kohë?
- Si mund ta fajësojmë për veprime të dyshimta për KOHËN E KALUAR, kur ai nuk ishte ambasador? 
- Si mund ta shohim si të mëkatshëm tregtinë e Martinit me Serbinë kur Kosova ka relacionin më të mirë të mundshëm ekonomik me Serbinë? 
- Si mund t’i themi Martinit mos bë tregti me Serbinë, ndërkaq ne ushqehemi për çdo ditë me ushqime serbe dhe ndërtojmë shtëpi me material ndërtimor serb si dhe shërojmë të sëmurët me medikamente serbe? 

PËR FUND

Natyrisht që duhet kritikuar çdo anomali të pushtetarëve por kur opozita dhe disa të tjerë kritikojnë pa asnjë kriter vërtetësie, pra larg fakteve të prekshme, është rrezik të humbet besimi edhe kur të kritikojmë duke u bazuar në fakte. 

Pa merak. Nëse ndryshojnë faktet, edhe unë ndryshoj mendim! Deri atëherë, akuzat e pabazuara në fakte të prekshme, kam frikë se mbesin rrena të prekshme për jetë e mot.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco