Zekati dhe sadakatul-fitri të jepen në fondin e Bashkësisë Islame

Zekati dhe sadakatul-fitri të jepen në fondin e Bashkësisë Islame

Nga Ajni Sinani - 23/04/2022
Zekati bënë pjesë ndër shtyllat e Islamit. Bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., të gjithë dijetarët islamë kanë konfirmuar unanimisht se dhënia e zekatit është detyrim fetar/farz për myslimanët që posedojnë pasuri e cila arrin nisabin, që është përcaktuar me norma të Sheriatit.
 
Me dhënien e zekatit pasuria pastrohet nga e drejta e tjetrit, kurse shpirti pastrohet nga koprracia, egoizmi dhe lakmia pas të mirave të kësaj bote. Ai përmendet në më shumë se 80 ajete së bashku me
namazin. Allahu xh.sh. thotë: “Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zekatin, për ata ka shpërblim te Zoti i tyre; për ta nuk ka frikë as pikëllim.” (El-Bekare, 277).
 
Edhe sadakatul-fitri ose zekatul-fitri është detyrim fetar, por i një rangu pak më të ulët/vaxhib. Ibn
Abasi ka thënë: “Pejgamberi a.s. e ka bërë obligim zekatul fitrin (sadakatul fitrin), pastrim për agjëruesin për fjalët e kota e të pahijshme, dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e jep para namazit të Bajramit ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit (të Bajramit), konsiderohet sadaka e
rëndomtë!”
 
Ai jepet po aty ku jepet edhe zekati.
Zekati dhe sadakatul-fitri përkufizohen si ibadet material, i cili përbëhet nga dhënia e saktë e sasisë
së caktuar nga pasuria në dobi të fondit të përcaktuar me Kuran. Ky fond në vendet muslimane quhet
Bejtul mal, kurse te ne, organi kompetent për grumbullimin e këtij fondi dhe distribuimin e tij është
Bashkësia Islame.
 
Të drejtën e fetvasë për mbarëvajtjen e jetës fetare të myslimanëve tek ne e ka Bashkësia Islame e
Republikës së Kosovës. Bashkësia Islame që mirëmbahet me forcat e veta qëndron pas mendimit që zekati,
sadakatul-fitri, kurbani etj., të grumbullohen dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar, në mënyrë që
ajo të mbijetojë me mjetet e besimtarëve të saj. Jetën e organizuar na obligon edhe Kurani: “O besimtarë!
- bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit; dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (En Nisa, 59).
Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi a.s. kur e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen (si guvernator të tij) i kishte thënë: “Po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit. Ftoji ata të pranojnë Shehadetin:
“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Tij”. Nëse e pranojnë dhe e deklarojnë këtë, thuaju që Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar për pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse e pranojnë,
thuaju gjithashtu se Ai i ka urdhëruar për sadaka nga pasuritë e tyre, e cila merret nga të pasurit e shoqërisë myslimane dhe u jepet të varfërve të tyre. Nëse e pranojnë edhe këtë, ki kujdes dhe mos e merr pasurinë më të dashur të tyre dhe frikësohu prej lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, pasi nuk ka pengesë
midis asaj dhe Allahut”.
 
Se kujt i takon zekati, këtë e ka sqaruar Allahu xh.sh: “Allahu e caktoi obligim, që lëmosha (zeqati etj.)
t'ju takojë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që
duhen përfituar zemrat (të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, të mbyturve
në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë...” (Et-Tevbeh, 60).
Në këtë ajet kuranor flitet për tetë kategori. Parashtrohet pyetja: A janë gjithnjë aktuale të gjitha këto
kategori? Natyrisht që jo. Ndonjëherë është aktuale njëra e ndonjëherë një tjetër kategori, pra gjithnjë i jepet
përparësi më të rëndësishmes. Muhamedi a.s. në kohën e tij përcaktonte përparësitë në varësi nga nevojat dhe
rrethanat, një praktikë kjo që është ndjekur nga halifët dhe dijetarët myslimanë deri në ditët tona.
Hanefitë, për dallim nga shkollat tjera juridike, kategorisë “fi sebililah” i kanë dhënë kuptim të gjerë,
si për kërkuesit e diturisë, rrugët e mirësisë apo nevojat e përgjithshme.
 
Reshid Rida, në librin e tij Tefsirul-Kuranil-Kerim, vlerëson se është më e rëndësishme që zekati të
jepet për shkollimin dhe aftësimin e njerëzve, që ta shpjegojnë dhe ta kuptojnë të vërtetën e Islamit.
Shumë ulema të kohës sonë, gjatë shqyrtimit të nocionit “fi sebililah”, kanë konkluduar se ai ka kuptim
mbase edhe më të gjerë, sesa kuptimi që i dhanë hanefitët, duke nënkuptuar interesat dhe nevojat e
ndryshme të shoqërisë myslimane.
 
Prandaj, në realitetin e sotëm Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës kërkon që zekati
dhe sadekatul fitri, mes tetë kategorive, të destinohen për kategorinë “fi sebililah” – në rrugën e Allahut”,
me fokus institucionin edukativo-arsimor të Medresesë dhe Fakultetin e Studimeve Islame, që janë
burim i jetës fetare dhe i ngritjes arsimore dhe edukative të myslimanëve.
Myslimanët, në Kosovë dhe në diasporë, janë të obliguar të bashkohen në aksionin unik të mbledhjes
së zekatit dhe sadakatul-fitrit të udhëhequr nga Bashkësisë Islame e Kosovës. Duke kryer këto detyrime
fetare në këtë mënyrë, ata konfirmojnë përkatësinë dhe besnikërinë e tyre ndaj Bashkësisë Islame. Madje,
kështu kontribuojmë në ruajtjen e Islamit në vendin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco