Analizë e 'The Geopost' për ndikimin rus në Maqedoninë Veriore

Analizë e 'The Geopost' për ndikimin rus në Maqedoninë Veriore

- 02/12/2021

Prania ruse në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është asimetrike në krahasim me ndikimin e saj të madh të saj në këtë vend, thuhet në analizën e Xhelal Nezirit, bashkëpunëtorit shkupjan të portalit të specializuar “The Geopost”.

Më tej, Neziri ka shtuar se, e njëjta shpërputhje shfaqet edhe në vendet tjera të Ballkanit nëse marrim dhe analizojmë investimet e drejtpërdrejta nga Rusia. Kjo sidomos është e pranishme në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Investimet e Rusisë janë të fokusuara vetëm në sektorë të zgjedhur – si banka, energji, metalurgji dhe pasuri të paluajtshme. Krahasuar me shtetet tjera, Rusia askund nuk figuron në tre vendet e para në listën e investitorëve. Në asnjë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është partner i rëndësishëm ekonomik. E njëjta situatë është edhe me kreditë apo ndihmat e tjera financiare që Moska i jep në rajon.

Në bazë të të dhënave zyrtare të siguruara nga Banka Popullore e Maqedonisë (BPM) në periudhën 2010-2020 Rusia ka një mesatare prej rreth 26 milionë euro investime. Me këtë shumë ajo është në vendin e 13-të në listën e investitorëve më të mëdhenj në RMV. Kulmin e ka shënuar në vitin 2016, kur investimet kishin arritur në afër 40 milionë euro.

Rusia është larg pas Mbretërisë së Bashkuar (UK), e cila në RMV ka realizuar investime në vlerë prej 759 milionë eurosh, pas Greqisë që ka 549 milionë euro investime, Holandës me 508, Gjermanisë me 386, Turqisë me 376, Zvicrës me 224, Bullgarisë me 214, Hungarisë me 192, SHBA-së me 84 dhe Shqipërisë me 37 miliono euro investime të drejtpërdrejta. Kina është më lartë se Rusia në listë – e nënta me gjithsej 130 milionë euro investime, njëjtë si Serbia, e cila është e dhjeta me 109 milionë euro investime në RMV.

Nëse Rusia kishte arritur kulmin e investimeve në vitin 2016, Kina në këtë vit fillon “ofensivën investuese” me rritjen për trefish të kapitalit – nga afërisht 10 në 36 milionë euro. Një vit më pas, pra në 2017-ën, investimet kineze arrijnë në 110 milionë, ndërkohë që kulmin e kanë arritur në vitin 2019 kur kanë numëruar 158 milionë euro.

Hulumtimi thotë se, roli i Rusisë në zhvillimet politike të Maqedonisë së Veriut u rrit dukshëm pas vitit 2008, kur RMV nuk arriti të bëhet anëtare e NATO-s në Samitin e Bukureshtit, bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Devijimi i qeverisë së atëhershme të Nikolla Gruevskit nga integrimet euroatlantike dhe afrimi me Lindjen shkaktoi një krizë të thellë politike dhe të sigurisë në vend. Në vitin 2015 lideri i partisë LSDM (atëherë në opozitë) Zoran Zaev filloi të publikojë materiale të përgjuara, që dëshmonin për aktivitete korruptive të anëtarëve të qeverisë dhe figurave të larta të VMRO-DPMNE-së. Kjo shkaktoi protesta masive të iniciuara nga shoqëria civile, e që u përkrahën nga LSDM-ja. Me nënshkrimin e Marrëveshjes me kompaninë ruse të gazit Gasporom në vitin 2013, RMV ishte në hartën e projektit të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”, kështu që Kremlini ishte shumë i interesuar të mbante në pushtet VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për të finalizuar këtë projekt.

NdikimI asimetrik i Rusisë në krahasim me investimet në RMV është rezultat i qasjes ndaj rajonit, që është e ndryshme nga ajo e BE-së apo SHBA-së. Ndërsa ndikimi euroatlantik arrihet duke përdorur një fuqi të butë, si investime direkte dhe favore ekonomike ose financiare për vendet e rajonit, Rusia eksploron ndjenjat dhe identitetin pan-sllav. Pra këtyre vendeve nuk ua blen mendjen, por zemrën. Prania ruse në rajon karakterizohet nga mbajtja e një profili të ulët, pa transparencë në asistimin apo financimin e të gjitha subjekteve që mundësojnë përhapjen e ideologjisë pan-sllave, ku Moska paraqitet si mbrojtëse kryesore e të gjitha vendeve orthodokse sllave.

Lufta hibride nënkupton përdorimin e të gjitha mjeteve dhe formave për të arritur qëllimin. Metoda e “Brigadave të Internetit” gjithashtu i sjell Rusisë një avantazh të madh kur bëhet fjalë për interferim në fushatat zgjedhore. Ato “brigada” janë të pranishme në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe operojnë përpara zgjedhjeve, nëse Rusia ka interesa të veçanta ose favorit në garën zgjedhore.

Në çdo vend të Ballkanit Perëndimor Rusia ka median e saj që përdoret për të përhapur propagandën e saj. Një media në kuadër të projektit të financuar nga shteti “Rusia Beyond the Headlines” (rbth.com) prodhon artikuj në serbisht, maqedonisht, kroatisht, bullgarisht dhe gjuhë të tjera, kurse ka paralajmërime se këto përmbajtje do të ofrohen edhe në shqip.

Por, Rusia, konkludon hulumtimi i analistit Xhelal Neziri, nuk ka kapacitet financiar për të mbajtur nën ndikimin e saj RMV, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Në aspektin e perspektivës për rajonin, Rusia nuk ka një ofertë afatgjate, siç është BE-ja në kuptimin ekonomik dhe NATO-ja si ombrellë sigurie. Rajoni euro-aziatik nuk është në funksion siç dëshiron Moska, kështu që rruga euroatlantike mbetet pa alternativë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco