Kuq e zi festuam, por u ‘përgjak’ edhe Shqiptaria!

Kuq e zi festuam, por u ‘përgjak’ edhe Shqiptaria!

Nga Astrit Veliqi - 28/11/2021

Sa herë vjen Nëntori, padyshim që rrahjeve të zemrës i shtohet një dozë e fuqishme e adrenalinës, e cila sëndërtohet me dashurinë, vuajtjen, sakrificën e mbijetesën shekullore.

Por ky lloj emocioni festiv, na kthen për një moment nga e kaluara në retrospektivë për të rrugëtuar drejt të ardhmes.

Mes kësaj paralele e shkuara e mban fuqishëm vulën e sakrificës shekullore për liri e pavarësi, derisa kur shohim nga e ardhmja, pritja bëhet me madhe drejt cakut dhe ëndrrës ku duam të shkojmë si komb.

'Homeri' shqiptar, Gjergj Fishta, e ka një thënie emblematike që i sinkronizon të dyja dhe i bashkon si diçka që mbetet e pavdekshme, sikur është shqiptaria.

‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë’.

E sot kjo frazë edhe mund të 'ndryshohet', por jo edhe e kaluara dhe historia jonë kombëtare.

Festat e 'Nëntorit' që nga paslufta i festojmë së bashku, por Shqipëria e Kosova, janë dy vende sovrane që aspirojnë të bashkohen në familjen evropiane sikur është BE-ja.

Kaq. Sot u festua 28 nëntori, një kremte kjo festive që shesh, e qytet, shtëpi, e institucion e veshi dhe e brumosi me ngjyrën kuq e zi.

Por jo gjithçka del si duket ashtu siç edhe shihet, ka diçka që nuk mund të përpihet, të paktën në këto festa që çdo shqiptar e mbushin me krenari, e ai është caku drejt ëndrrës shekullore.

Ky cak dhe mision ma shumë se aq është fisnik, institucional e shtetëror, prandaj Kosova e Shqipëria, përkundër festës mbesin të 'ndara gjeografikisht', por jo edhe në zemrën e secilit shqiptar.

Kjo po shihet pothuaj çdo ditë, e fajet në ketë mes domosdo del se i ka politika e cila, shpesh na ‘trumbetohet’ si mision i pamundur, duke e shndërruar popullin tonë liridashës në ‘kukulla’ të dashurisë për atdheun.

Dashuria për kombin mbetet aq e fuqishme, sa shpesh fjalët i merr era, sikur edhe flamurin, shqiponjën, plisin, e suvenirët tjerë, që marrin epitetin koliqian ‘tregtar flamujsh’, derisa veprat dhe amanetet mbeten në sirtarët e harresës shekullore.

Nëntori i ‘Skenderbeut’, ‘Ismail Qemalit’, ‘Adem Jasharit’, ‘UÇK-së’, erdhi me pamjen e një kremte festive, por edhe me lajme e shije të hidhura, të liga e tragjike.

Sivjet, e kremtja festive ishte veshur kuq e zi, por shije të hidhur ishin edhe rastet tragjike, sikur ai i Gllogjanit, ku nxënësit tanë në lule të rinisë, mizorisht u bënë engjëj të parajsës dhe 45 shqiptarë që u ‘shuan’ tragjikisht në autobusin e Bullgarisë.

Kuq e zi, festuam, por mizorisht e tinëzisht e 'përgjakem' edhe Shqiptarinë! 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco