'Patrioti' Rama përballë Kurtit nën hijen e 'Ballkanit të Hapur' të Vuçiqit

'Patrioti' Rama përballë Kurtit nën hijen e 'Ballkanit të Hapur' të Vuçiqit

Nga Syri.net Kosova - 26/11/2021

Në shtatë mbledhje të qeverive, Shqipëria e ka pasur kryeministrin e njëjtë, ndërsa Kosova ka ndryshuar pesë herë kreun e ekzekutivit nga katër parti të ndryshme.

Pavarësisht këtij fakti, asgjë nuk ka ndryshuar në ngecjet e vazhdueshme në zbatimin e marrëveshjeve të miratuara.

Në mbledhjen e Elbasanit, në mandatin e tretë të Edi Ramës më në fund po flitet për lehtësimin e qarkullimit në kufirin mes dy vendeve.

Kjo me siguri nuk do të kishte ndodhur, nëse nuk do të shtohej presioni mbi Tiranën zyrtare pasi u zhyt në nismën e Vuçiqit për ‘Ballkanin e Hapur’.

Nuk mund të ashpërsosh kontrollet për kosovarët e të hapësh dyert për serbët. Në fakt, Edi Rama e bën edhe këtë.

Ai po përpiqet tani të vendosë një ekuilibër me Kosovën, sepse e ka parë që ka shkuar larg, shumë larg në ‘flirtin’ me Serbinë.

Detyra e qeverive është lehtësimi i jetës së njerëzve në dy anët e kufirit, ndërsa në rastin kur një komb gjende në këto dy anë, detyrimi është i shumëfishtë.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjeve të arritura deri më tash, zbatimi i tyre ka qenë i dobët e si rrjedhojë, efektet të pakëta.

Pengesat kryesore janë te biznesi, lokomotiva e zhvillimit. Për bizneset kosovare në këto vite të regjimit të Ramës, ka qenë e vështirë ta shtrijnë aktivitetin afarist në terrenin e Shqipërisë.

Odat ekonomike, kanë ripërsëritur së fundmi me rastin e mbledhjes së dy qeverive, ekzistencën e plot pengesave.

Faktet janë fakte dhe pavarësisht mburrjes së kryeministrit shqiptar, politikat që ndjek ai nuk janë dhe aq dashamirëse ndaj Kosovës.

Në kohën kur qeveriste Sali Berisha, u ndërtua rruga e Kombit. Pa pagesë ishte atëherë. Në kohën e Ramës, kostoja është së paku 10 euro, ndërsa për bizneset gati e papërballueshme.

Sapo mbarojnë mbledhjet, angazhimi bie dhe jeta politike e Tiranës dhe e Prishtinës zyrtare vazhdon me refrenet e njohura.

Në të gjitha këto mbledhje ka pasur më shumë patetizëm dhe zotime të pambajtura, sesa rezultate të prekshme për shqiptarët. E vërteta është kjo dhe nuk kemi pse ta fshehim, edhe pse Rama dëshiron të mbulojë dështimet e të dalë tani si një patriot i madh.

I tillë nuk mund të jetë një kryeministër që përzihet në planet për ndarjen e Kosovës dhe partnerin kryesor në rajon nuk e ka kryeministrin kosovar, por presidentin e Serbisë.

Për sa kohë që gjërat qëndrojnë në këtë brazdë të dyshimtë, edhe mbledhjet e qeverive, përveç disa arritjeve modeste dhe marrëveshjeve që mbeten në letër, zor se mund të sjellin diçka tjetër.

Për shqiptarët, marrëdhënia e fuqizuar Shqipëri-Kosovë, është rruga e vetme drejt zhvillimit të shpejtë dhe avancimit të interesave kombëtare.

Me Albin Kurtin, mund të ketë më tepër seriozitet në zbatimin e marrëveshjeve, por vetëm njëra palë nuk mjafton.

Me Ramën, një gjë është e sigurtë, spektakli e gallata do vazhdojë, Serbia do fërkojë duart, e pasojat do i mbajnë mbi supet e tyre shqiptarët, këndej e andej kufirit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco