Turp! Kosova e idealeve, po bëhet vend i pajetueshëm

Turp! Kosova e idealeve, po bëhet vend i pajetueshëm

Nga Astrit Veliqi - 21/11/2021

Kosova edhe njëherë e dha një leksion të demokracisë me përmbylljen e zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit.

Balotazhi u përmbyll në një atmosferë të kremtes zgjedhore, ku humbësit në pjesën ma të madhe pranuan humbjen dhe uruan kundër-kandidatin e tyre, një simbolikë kjo e një gare fer, korrekte dhe mbi të gjitha demokratike.

Fituesit kremtuan, derisa humbësit vendosën kësaj radhe të heshtin.

Ata heshtën ngase e kuptuan se sovrani me votën e tyre, edhe di t’i ndëshkoj kur ata nuk përmbushin premtimet e dhëna

Deri këtu jemi në rregull!  Tash pritet edhe transformimi i pushtetit lokal, nga të vjetrit tek të rinjtë.

Por përkundër kësaj, Kosova në një kohë të një krize shëndetësore, po i vuan edhe pasojat e një krize ekonomike, e cila ditës-ditës po bëhet gjithnjë e më shumë alarmante.

Krizë e cila ka filluar me ngritjen enorme të çmimeve për produktet më elementare, e nuk e din askush saktë se ku do të ndalet.

Një krizë e tillë, po e shkatërron çdo ditë mirëqenien e familjes edhe ashtu të ‘varfër’ të familjes kosovare.

Kjo sidomos po vërehet pothuaj të çdo produkt, pa dallim në raftet e marketeve tona, por edhe në pikat e derivateve, ku pa përjashtim çmimet çdo ditë po rriten dhe po dyfishohen.

E derisa jemi në këtë stad të vështirë të mbijetesës sonë, institucionet përkatëse po heshtin.

Madje edhe nga ajo që po shihet nuk kanë as me të voglën strategji e plan për të dalë nga kjo gjendje shumë serioze, ngase jeta dhe mirëqenia e kosovarëve gjithnjë e më shumë po vihet në pikëpyetje.

E nëse shohim pak me thellë, ata që po na përfaqësojnë, sidomos deputetët, por edhe ekzekutivi qeveritar, pjesa më e madhe e tyre  bëjnë jetë luksi, me shtëpi e vila milionëshe.

Pyetja që lind në ketë moment, është: A do t’i ndëshkoj sovrani edhe ata?

Përgjigjen nuk e din as ata vetë, ngase si duket ‘shfrenimi’ pas parasë e pushtetit, i ka verbuar, derisa për ata që janë me të dobëtit as që lodhën, a mund ta mbyllin muajin apo jo!

Pakënaqësitë janë të mëdha dhe po rriten kudo pa përjashtim, kjo mund të shihet në kafene të çdo i ri i papunë e i pashpresë, në rrugë nga ata që kërkojnë edhe punë krahu, err e terr, në shkolla e  fakultete, ku nxënësit e studentët shpenzojnë shuma të majme, e në fund mbesin me ‘gishta’ në gojë, madje edhe të taksistët, pensionistët...e ku tjetër.

Kjo është Kosova, për të cilën madje është derdh gjaku për lirinë e saj, e pasluftës e kishte një ideal për jetë, por sot edhe në mungesë të liberalizimit ka mbetur një ‘geto’ në mes të Evropës.

Një vend si ky... gjithnjë e më shumë i pashpresë e po bëhet madje pothuaj edhe çdo ditë e më shumë i pajetueshëm

Turp!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco