Shpejt i erdhi koha riformatimit të qeverisë Kurti II

Shpejt i erdhi koha riformatimit të qeverisë Kurti II

Nga Syri.net Kosova - 18/11/2021

Kryeministri i Kosovës refuzon ta ndërlidhë debaklin e partisë në zgjedhjet lokale me performancën qeverisëse, por argumentet janë kundër tij.

Sa më shpejt që e pranon realitetin, aq më mirë për të rifituar besimin e zbehur te elektorati kosovar.

Diçka nuk po funksionon në qeverinë Kurti, prandaj duhet një riformatim, një energji e re. Mjaftoi emërimi i një personaliteti në fushën e mjekësisë si ministër i Shëndetësisë dhe vërshuan reagimet pozitive.

Është e qartë se Vetëvendosja ka deficit serioz kur jemi te kuadrot për pozicione të ndryshme, përfshirë ato më të lartat në qeveri. Kjo sfidë do ta shoqërojë këtë subjekt me fuqi të madhe parlamentare për një kohë të gjatë, nëse nuk afron njerëz me kapacitete, pavarësisht që nuk militojnë në radhët e LVV-së.

Ministrat nuk janë të përhershëm në ato pozita. Mund të jesh një profesionist i zoti, por nuk e udhëheq si duhet një dikaster qeveritar.

Nga praktikat e deritashme të qeverisë, vërehet se nepotizmi është prezent, ndërsa besnikëria ndaj partisë mbetet kriter themelor për emërimet e rëndësishme, ndonëse në doza më të ulëta krahasuar me qeveritë e kaluara.

Pesëdhjetë përqindshi që e fitoi koalicioni LVV-GUXO me 14 shkurt, ishte në favor të një qeverisjeje përtej kutit partiak. Kurti e di se votuesit e tij mbërrinin te një e treta e elektoratit dhe nuk mund të indoktrinoheshin kaq lehtë dhe shpejt edhe dhjetëra mijëra të tjerë.

Gjatë këtyre muajve në krye të qeverisë, kryeministri nuk ka arritur ende ta përmbushë pritjen kryesore të votuesve – shkëputjen nga e kaluara.

Parakalimet me xhipat e zinj që dikur i shante LVV-ja, përdorimi i mekanizmave të pushtetit në zgjedhjet lokale,  janë një tablo e njohur për të gjithë.

Kurti duket ende lideri më i preferuar në Kosovë, por zgjedhjet lokale kanë provuar se preferencat janë duke u lëkundur.

Gjithsesi, zërat për zgjedhje të reja janë të paqëndrueshëm. Kurti e ka shumicën në Kuvend dhe për sa kohë është kështu, është i parrëzueshëm nga posti i kryeministrit.

Megjithatë, ngecjet e ndryshme duhen adresuar me kujdes dhe në mënyrë realiste nga qeveria e Vetëvendosjes.

Ata e fituan pushtetin me votë për të qeverisur më mirë e jo për t’u justifikuar përditë për ligësitë e regjimeve të kaluara.

Kur një qeveri më tepër justifikohet sesa bën veprime konkrete në të mirë të njerëzve, besimi dhe mbështetja natyrshëm bien ndjeshëm.

Disa zotime elektorale që mund të jenë në realizim e sipër, nuk përbëjnë angazhimin kryesor të qeverisë, sepse detyrimi kushtetues për qeveritarët është diçka tjetër.

Nga ana tjetër, arsyetimi me disa shifra për rritjen ekonomike apo masa modeste sociale, ndërsa situata në terren është dramatike, për shkak të pandemisë, rritjes së çmimeve e shumë sfidave të tjera, përbën një huqje tjetër të qeverisë Kurti.

Këtë metodë vetëlavdërimi e ndiqnin edhe qeveritë e kaluara, por ja ku jemi tani.

Kompanitë publike punojnë kryesisht me humbje dhe me milionat e buxhetit, edhe ekzekutivi i tashëm po synon t’i mbajë në këmbë.

Ndërmarrjet strategjike janë pa kurrfarë zgjidhjeje për rimëkëmbjen e tyre. Asnjë ide nuk është dhënë për Brezovicën, Trepçën, PTK-në.

Nën pushtetin e një partie të majtë si LVV-ja, shteti duket i prirur ta shtojë ndikimin, kontrollin dhe menaxhimin e aseteve publike. Sa më shumë shtet në menaxhim, aq më të këqija rezultatet në fund. Kjo është dëshmuar qe dy dekada, por Vetëvendosje po përpiqet të na e provojë të kundërtën.

Marrëdhënia e pushtetit me biznesin duket më e ftohtë se kurrë. Përfaqësuesit e sipërmarrjes private ankohen se ka krizë komunikimi e kur nuk bisedohet, nuk ka as zgjidhje për çështjet e ndryshme.

Shikoni çfarë ndodh me Ferronikelin. Mijëra punëtorë pa paga e qeveria nuk ka asnjë përgjigje.

Presioni social do të vijë duke u rritur ndaj qeverisë, protesta janë paralajmëruar, ndërsa opozita mund t’i shfrytëzojë pakënaqësitë për një front të ri lufte politike kundër pushtetit të Vetëvendosjes.

Sa më parë që do të ketë ndryshime thelbësore e cilësore në qeveri dhe qeverisje, aq më pak do të ketë arsye për të protestuar.

Kjo qeveri në masë të konsiderueshme e ka humbur kontaktin me qytetarët brenda një kohe të shkurtër, prandaj ndodhi ndëshkimi lokal.

Disa ministra duhet të sakrifikohen dhe është përgjegjësi e Albin Kurtit si kryeministër që ta riformatojë qeverinë, sepse duhet një frymëmarrje e re dhe kurs tjetër administrimi i pushtetit pas zgjedhjeve lokale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco