Kush po na e kërcënon kryeministrin?

Kush po na e kërcënon kryeministrin?

Nga Syri.net Kosova - 28/10/2021

 

Në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje, përfundimisht ra në vendin e dytë në nivel nacional në zgjedhjet lokale, në media vërshoi një lajm shqetësues për sigurinë e kryeministrit të Kosovës.

Masa të shtuara sigurie u ndërmorën menjëherë, ndërsa më pas rezultoi se burimi i kërcënimit ishte një faqe në rrjetet sociale.

Joserioze duket situata ‘alarmante’, por për sigurinë e kryeministrit, vëmendja, kuptohet,  gjithnjë është maksimale.

Në fakt, dje vëmendja u zhvendos edhe nga vendime të tjera të qeverisë kosovare. Për ta përballuar krizën ekonomike pas rritjes së çmimeve, ekzekutivi e hapi kuletën për kategoritë sociale. Pak para balotazhit në 21 komuna, pushteti i Vetëvendosjes i gëzoi mijëra votues.

Ky vendim është tërësisht i ligjshëm, por ku qëndron morali politik në këtë rast.

Hashim Thaçi i rriste pagat para zgjedhjeve. Kjo mënyrë veprimi e qeverive tona është e njohur. Nuk ka një mekanizëm që i ndalon vendimet me efekte financiare në kohë zgjedhjesh. Është thjesht, çështje etike qeveritare.

Po cili pushtet, deri tash pyeti për etikën?

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i thirrur në parime e vlera, ndërsa disa vendime që janë marrë në periudhën e zgjedhjeve lokale dëshmojnë për një pragmatizëm tipik pushteti, që e kanë shfaqur edhe partitë e tjera më herët.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me zotimet elektorale nga partia në pushtet, duke premtuar mbështetje në komunat që e votojnë atë.

Rruga e Tetovës është me rëndësi, megjithatë bash para balotazhit në Prizren duhej të merrej vendimi për ndërtimin e saj?

Pavarësisht këtyre vendimeve dhe atyre më herët, si masat lehtësuese për studentët,  duket qartë, se votuesi kosovar është emancipuar.  Nuk blihet aq lehtë vota e tij. Në të shumtën e rasteve, në fakt nuk blihet më fare.

Prandaj, po shohim një ndryshim të hartës politike, edhe pse janë zgjedhje lokale pak muaj pas ‘referendumit’ ku LVV i mori krejt. Trendi i votave, është kërcënimi i vërtetë për Albin Kurtin dhe Lëvizjen e tij.

Qeverisë i duhet një dinamikë e re, më shumë profesionalizëm dhe kreativitet, transparencë dhe jo fodullëk, bashkëpunim dhe jo arrogancë.

Ashtu siç e ndëshkoi elektorati regjimin e kaluar, njësoj do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme nëse nuk ka rezultate nga qeverisja.

LVV e ka fituar pushtetin politik, por po vazhdon të qeverisë me struktura që janë rrënjosur nga partitë të cilat sot janë në opozitë. Në një farë mënyrë, i bie që qeverisja e Albin Kurtit, e ka “kalin e Trojës” brenda dhe ata e dinë mirë këtë fakt.

Do e nxjerrin “kalin” jashtë sistemit, apo do t’i nxjerrë “kali” këta jashtë, është një betejë e hapur, në kurrizin e popullit të Kosovës.

Nuk është risi të thuash se pushteti i kaluar na vodhi. E dimë, prandaj ju të tjerët erdhët në pushtet. Vendi ka nevojë për investime serioze, hapje vendesh të reja pune, rritje të të ardhurave, klimë të mirë biznesore. Me paketa sociale, ndihma të përkohshme, nuk tejkalohet kriza.

Këta muaj të qeverisë Kurti ngrejnë më shumë pikëpyetje, sesa i vendosin pikat mbi I. Kjo pasiguri e mungesë besimi konfirmohet edhe nga harta politike pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Për këtë arsye, Kurti vërtet ndihet i kërcënuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco