UÇK, opozita dhe Albin Kurti

UÇK, opozita dhe Albin Kurti

Nga Syri.net Kosova - 03/06/2021

Një valë reagimesh kundër qeverisë Kurti edhe këto ditë, e patën në fokus raportin e pushtetit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nganjëherë të krijohet përshtypja se UÇK-ja, ende është formacion në skenë dhe protagonistët luftojnë me mish e me shpirt, ta mbajnë gjallë frymën e betejës për liri.

Kur i sheh se kush janë më të zëshmit, nuk e ke të vështirë të kuptosh, se diskursi i nxehur, më së shumti i shërben Albin Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kryeministri e të tjerët janë komodë në pozicionin e tyre. E kanë kundërshtuar maksimalisht Gjykatën Speciale, por nuk i ka pyetur kush në fund.

E këta, që e bënë me votat e tyre, për ta ‘pastruar’ luftën e UÇK-së, tani të frustruar nga humbja e pushtetit, nuk po dinë ku të kapen diku tjetër, përveçse në të kaluarën e para dy dekadave.

Duke e humbur arsyen, po ia lehtësojnë administrimin qeverisë dhe anashkalimin e gabimeve reale që bëhen në këtë udhëtim me disa të panjohura edhe për Vetëvendosjen, për herë të parë në pushtetin ekzekutiv.

Debati që nxitet zakonisht nga megafonët e PDK-së dhe satelitëve të saj, përqëndrohet në hipotezën e njohur, që me pak fjalë mund të përmblidhet: Abin Kurti, do të lëpijë çfarë ka pështyrë deri tani!

Një gjë plotësisht e mundshme, por mbetet të shohim. Në krahasim me liderët e tjerë, e kemi parë se Kurti, nuk është i nënshtrueshëm ndaj ndërkombëtarëve. Kur, janë në diskutim disa parime dhe zotime serioze, është i gatshëm të përballet me rrëzimin në parlament, por jo të shkelë mbi fjalën e dhënë.

Kompromiset që janë mësuar të bëjnë partitë kosovare, shpesh i kanë tejkaluar interesat nacionale, programet e tyre politike dhe përbetimet e liderëve.

Me Marrëveshjen për Asociacionin me Serbinë, e kanë shkelur Kushtetutën dhe këtë e ka thënë Gjykata Kushtetuese. Me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e kanë prekur integritetin territorial.

Kosova ka marrë përsipër të zbatojë marrëveshjen për kriimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, por Kurti thotë se nuk do të ketë Asociacion njëetnik. Paralajmërimi i kryeministrit lë të kuptohet se mund të pranojë si kompromis një Asociacion tjetër, ku nuk janë vetëm serbët. Detajet me siguri do t’i mësojmë muajve të ardhshëm.

Gjithsesi, ajo që ka rëndësi jetike, është që të mos lejohet krijimi i një niveli të tretë pushteti, që nuk e parashikon Kushtetuta jonë dhe i hap derën bosnjizimit të Republikës.

Albin Kurti, mund të mos ketë luftuar me armë në frontin e luftës me Serbinë, por dyshimet që gjuhen mbi të nga opozita se do t’i nënshtrohet Beogradin, tingëllojnë qesharake.

Disa opozitarë edhe mund ta quajnë aksidentale fitoren e Kurtit, por me mënyrën se si po e kundërshtojnë qeverinë e tij, dy mandate duket se do t’i ketë të sigurta.

Për dallim nga liderët e tjerë, kryeministri dhe presidentja aktuale, nuk kanë kurrfarë hipotekash e si rrjedhojë, nuk janë të shantazhueshëm nga ndërkombëtarët.

Mund të flasim ditë e natë për UÇK-në, e për trajtimin e saj nga Kurti, Osmani, Gërvalla etj, por asnjë dobi nuk ka prej këtij diskutimi.

UÇK-ja është kapitull historik për shqiptarët dhe askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje një gjë të tillë. Megjithatë, në emrin e luftës, pas luftës, politikanët që zhveshën uniformën dhe veshën kostumin e pushtetarit, e shpërdoruan në mënyrën më të tmerrshme emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetëm një pyetje, duhet t’ua shtrojmë këtyre ‘adhuruesve’ të orëve të fundit të UÇK-së. Pse për njëzet vjet, pushteti absolut i komandantëve të UÇK-së, nuk e bëri as edhe përpjekjen më të vetme që ta padisë Serbinë për gjenocid?

Si çdo qeveri tjetër, edhe kjo e Albin Kurtit,do të vlerësohet nga veprimet e saj dhe jo në bazë të hipotezave. Një gjë është e sigurtë. Në dialogun me Serbinë, Kosova e ka shansin ideal që të rikthehet në tryezë e dinjitetshme.

Tani nuk flitet më për ndryshime kufijsh apo shkëmbime territoriale, por për njohje reciproke.

Kosova duhet të japë, në qoftë nevoja, garanci shtesë për pakicat edhe pse me Kushtetutë, trajtimin e tyre, nuk e ka asnjë pakicë në vendet evropiane.

Ky vend ka nevojë për ndryshim rrënjësor dhe reforma serioze. Sa më shumë që opozita do e lakojë refrenin e UÇK-së, aq më më lehtë do t’ia bëjë funksionimin qeverisë së Albin Kurtit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco