Kina në Tivar?

Kina në Tivar?

Nga Enver Robelli - 22/04/2021

Në vitin 2014 qeveria e Malit të Zi e mori një kredi prej 944 milionë euro nga banka kineze Exim për të ndërtuar një autostradë gjigante në drejtim të Serbisë.

Tani qeveria e Malit të Zi është në panik: e ka vështirë të kthejë kredinë, të paguajë këstet e para. Politikanët e Podgoricës kanë kërkuar ndihmë në Bruksel. Përgjigjja nga BE është kjo: as që na shkon ndërmend të paguajmë kreditë tuaja kineze. E tash? Tash ka supozime të ndryshme se çka mund të ndodhë.

Në Mal të Zi ka vëzhgues politikë që thonë se Kina tani mund t’ia marrë Malit të Zi Portin e Tivarit, më të rëndësishmin e vendit. Këtë metodë Pekini e ka aplikuar në Sri Lankën e largët.

Ky shtet më 2017 s’arriti të paguajë kreditë kineze. Dhe Sri Lanka u detyrua që për 99 vjet t’ia dhurojë Kinës portin Hambantota. «Diplomaci e kurthit të kredive», kështu quhet politika e re kineze ndaj vendeve të tjera që marrin kredi nga diktatura e kuqe.

Sipas gazetës gjermane DIE ZEIT autor i definicionit mbi «diplomacinë e kurthit të kredive» është eksperti i gjeostrategjisë nga India, Brahma Chellaney. Qëllimi i Kinës është cinik: jep kredi për shtete të varfra, futi ato në kurthin e kredive dhe kështu krijo shtete vasale, duke ua marrë resurset kryesore.

Ende nuk dihet si do të marrë fund drama kinezo-malazeze. Kontrata e kredisë është sekrete. Por gjeostrategë perëndimorë pyesin: a mund të qëndrojnë BE dhe SHBA-të indiferente nëse Kina e merr portin e Tivarit? Mali i Zi është anëtar i NATO-s.

Me gllabërimin e portit të Tivarit, Kina do të kishte dalje në detin Adriatik. Çfarë s’arritën rusët të bëjnë përmes presionit politik, a do ta arrijë Kina me një kredi?

Janë pyetje të pakëndshme, me të cilat duhet të ballafaqohet sidomos presidenti Millo Gjukanoviq, qeveria e të cilit e ka nënshkruar marrëveshjen me kinezët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco