Hera e dytë e Albin Kurtit

Hera e dytë e Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 23/03/2021

 

Asnjë qeveri nuk e ka pasë komoditetin politik ta ketë një shumicë të konsoliduar parlamentare si qeveria e dytë e Albin Kurtit. Të gjitha qeveritë e mëparshme, kanë qenë shpesh të detyruara të marrin vendime në shërbim të grupeve të caktuara, klaneve apo individëve, varësisht nga votat e deputetëve që u kanë shërbyer klientelave.

Marrëdhënia Kuvend-qeveri, ishte shndërruar në një raport tipik interesash të ngushta, korruptiv, shantazhues, gjithnjë mbi interesin e të mirës publike e në favorin e emërimeve të pamerituara apo vendimeve të tjera në kurriz të institucioneve e fondeve të taksapaguesve.

Gjithçka qe bërë pazar për të rehatuar njerëz të caktuar, politikanë e familjarë ose miq të tyre. Mjafton një hetim sipërfaqësor për të zbuluar lidhjet e shumëfishta të deputetëve, partive, me vendimet nepotike, pa kritere, që i kanë dëmtuar rëndë institucionet, agjencitë apo kompanitë publike.

Verdikti i sovranit me 14 shkurt, ia ka dhënë mundësinë kryeministrit Kurti, që të realizojë programin qeveritar e njëkohësisht të marrë vendime të dobishme duke pasur numrat në Kuvend.

Herën e kaluar, në koalicionin me LDK-në, ai nuk e kishte këtë mundësi. Më përpara, kur LDK bënte koalicion me PDK-në, gjithçka ndahej përgjysmë. Kriteret nuk përmendeshin fare. Si rrjedhojë sfera publike mbushej me gjithfarë emrash, ndërsa performanca institucionale zbehej e bëhej skandaloze.

Llogaridhënia ishte zero, ndërsa abuzimet shtoheshin.

Qeveria Kurti II, është një shpresë për ndryshim, ndërsa pritjet janë shumë të mëdha në dy rrafshe. Së pari, njerëzit presin kthimin e ligjshmërisë në institucione, në zyrat e shtetit, në agjencitë e pavarura e kompanitë publike. Kjo nënkupton valë shkarkimesh, ngritje aktakuzash, burgosje individësh që kanë bërë shkelje e hajni.

Së dyti, pritet zhvillim dhe dinamizim i qeverisjes, transparencë dhe llogaridhënie. Në administratën shtetërore, në institucionet publike, nuk mungojnë njerëzit e zotë, por profesionistët zakonisht janë shkelur. Nëse nuk ke qenë ushtar i ndonjë partie, ke mbetur në hije.

Qeveria e Kurtit e ka shansin të dëshmojë se meritokracia në sektorin publik, do të marrë vëmendjen e munguar.

Përbërja e kabinetit të ri është inkurajuese. Kjo qeveri është një kombinim i bashkëpunëtorëve të besueshëm të Kurtit dhe kontribuues të gjatë në Lëvizjen Vetëvendosje, me ekspertë të fushave të caktuara, siç janë në sektorin e Mbrojtjes dhe të Ekonomisë.

Ekipi qeveritar, është premtues. Për herë të parë kemi një të tretën e ministrave gra me përvojë dhe me kapacitete profesionale. Kurti nuk e ka injoruar votën e mërgatës. Dy ministri udhëhiqen nga figura të kthyera në Kosovë nga Evropa.

Është ende herët të flitet për programin, pa e parë të detajizuar. Sfidat janë të forta. Pandemia e para, sundimi i ligjit më pas dhe reformat e paralajmëruara.

Zotime serioze mund të ngecin për shkak të mungesës së mjeteve. Kriza ekonomike është thelluar, ndërsa vendit i duhet një infuzion financiar. Kurti ka premtuar se do ta vërë qeverinë në shërbim të qytetarëve. Mundësinë e ka. Shumicën po.

Të shpresojmë që edhe presidentin do ta zgjedhin, që më në fund ta kemi një qeverisje të rregullt deri në fund të mandatit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco