Mirë e ka Enveri, 'nuk e hamë më sapunin për djathë'

Mirë e ka Enveri, 'nuk e hamë më sapunin për djathë'

Nga Syri.net Kosova - 22/03/2021

Enver Hoxhaj mirë e tha. ‘Nuk e hamë sapunin për djathë’. Po ta kishim ngrënë prapë, partia e tij sërish do të ishte në pushtet.

Kosova sot, hyri në një fazë të re. Një cikël i ri politik ka filluar, ndërsa partia e Hoxhajt, është në radhë të pritjes për ndryshime. Për sa kohë do të riciklojnë figurat e konsumuara, PDK-ja do të ndjekë fatin e LDK-së, që edhe pse me vonesë, arriti të bëjë një ndryshim serioz në lidership.

Argumentimi i partisë më të madhe opozitare, në prag të votimit të kreut të shtetit, është i paqëndrueshëm. PDK-ja është kundër Vjosa Osmanit, e cila mori mbi 300 mijë vota. Arsyetimi i Hoxhajt është se kandidatja në fjalë është përçarëse e skenës politike.

Në fakt më përçarësi tani gjendet në Hagë. Kur u votua president Hashim Thaçi, nuk la pazar pa bërë, që të sigurojë kuorumin kushtetues. Nga terminalet deri te pozitat diplomatike, e kushedi sa e sa shpërblime të tjera, u dhanë që ish-kryetari i Enver Hoxhajt, të kapte majën e Republikës.

Ai jo vetem që nuk ishte unifikues, por partiak deri në palcë dhe konfliktuoz në maksimum. Për opozitën kosovare, është më e sinqertë të thonë se nuk e preferojnë Vjosa Osmanin, sesa të flasin për unitet përfaqësues.

Fundja, Osmani aktualisht nuk ka as parti të veten. Deri dje ishte në LDK, ndërsa në zgjedhje hyri në koalicion me Vetëvendosjen, me një listë kandidatësh. Ajo e ka një grup parlamentar dhe fuqia e saj kryesore është vota plebishitare e sovranit.

PDK, LDK e AAK, janë mësuar me pazare në ndarjen e pushtetit. Kësaj radhe,është e pamundur të trafikohet pozita presidenciale. Nuk bëjnë punë as terminalet, as pozitat, as shpërblimet e tjera. Fituesit e këtyre zgjedhjeve janë votuar pikërisht që të mos bëjnë pazare në kurriz të popullit të Kosovës, por që të punojnë për përmirësimin e jetës së tyre.

Albin Kurti e di këtë fare mirë. Kuorumi prej dy të tretave, e vë para sfidës së vështirë fituesin e zgjedhjeve, megjithatë, çdo kompromis e lëshim që me çdo kusht ta mbajnë pushtetin, mund të ketë pasoja të paparashikueshme politike.

Për opozitën, nuk ka zgjidhje tjetër të favorshme përveçse të marrin pjesë në seancën ku votohet kandidatja e koalicionit fitues. Nëse ata e provokojnë shkuarjen në zgjedhje, debakli i 14 marsit, mund të duket shpëtim në krahasim me atë që do t’i priste në kutitë e votimit.

Pasi PDK e AAK, refuzojnë votën për presidentin, rrjedha e këtij procesi ka mbetur në dorën e LDK-së, që duket se është këndellur pak pas humbjes së rëndë. Meqë e votuan Hashim Thaçin, nuk e kanë problem ta votojnë edhe Vjosa Osmanin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco