A do të ketë stabilitet institucional?

A do të ketë stabilitet institucional?

Nga Seb Bytyçi - 22/03/2021

Qeveria e re si duket do të krijohet pa problem, mirëpo sfida është te zgjedhjet për president. Përveç presidencës, jostabilitet institucional mund të shkaktojë edhe vet çështja e ulëseve të garantuara për pakicat. Së pari t’i shohim skenaret e krijimit të qeverisë dhe votimit për president.

Zgjedhja e presidentit si sfidë Fakti që Lista LVV-Guxo i fitoi 58 deputetë pas përfundimit të numërimit, e bën formimin e qeverisë mjaft të lehtë kur dihet gatishmëria e disa përfaqësuesëve të pakicave për të bashkëpunuar me LVV-në.

Por ky rezultat nuk ia lehtëson asaj punën në çfarëdo negocimi për kuorum për votimin e presidentit. Fakti që Lista LVV-Guxo nuk i fitoi 61 ulëse të nevojshme për ta formuar qeverinë komplikon edhe zgjedhjen e presidentit. Caku për marrëveshje mund të jenë partitë e pakicave, për të siguruar kuorumin prej 80 deputetëve, por 20 deputetët e pakicave nuk mjaftojnë.

Sidoqoftë edhe këtu është komplikuar puna më tej kohëve të fundit sepse Lista Serbe ka shtuar përpjekjet për t’i kontrolluar pakicat joserbe dhe mund të thuhet se ka ndikim te tre deputetë, të cilët i instaloi aty përmes inxhinjeringut elektoral, edhe pse vendimi i Gjykatës Supreme i dha një goditje përpjekjeve të saj për të pasë ndikim edhe më të madh.

Dhe tashmë ka indikacione se Lista Serbe është rreshtuar në anën e gardës së vjetër (PDK/LDK/AAK) për ta vështirësuar qeverisjen e Vetëvendosjes. Pra është e mundshme që Listës Serbe t'i bashkohen në grup parlamentar edhe tre pjesëtarë tjerë të pakicave joserbe (një deputet rom, një boshnjak dhe një goran). Sidoqoftë, edhe me 10 deputetë, Lista Serbe do të jetë grup më i madh parlamentar se AAK-ja. Dhe kjo gjithashtu nënkupton se në një situatë ku ka obstrukcion ose mospjesëmarrje në votimin e zgjedhjeve për president nga opozita e re, Lista Serbe dhe Pakicat joserbe do të ishin vendimtare për krijimin e kuorumit.

Në një situatë të tillë duhen vetëm tre deputetë nga opozita për të marrë pjesë në votim që të arrihet kuorumi me 80 deputetë. Dy pragjet Le ta shohim tash skenarin e mundshëm të një qeverie afatshkurtë. Ajo çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të 2019-ës ishte se për shkak të presionit të madh social, LDK hyri si partner në koalicion me LVV-në edhe pse nuk e preferonte një gjë të tillë. Por qeveria LVV-LDK doli të ishte thjeshtë një fazë kalimtare pasi LDK tërhoqi qilimin nën këmbët e kësaj qeverie dhe formoi qeveri me partnerët e preferuar të saj. Këtë ndërrim qeverishë e miratoi edhe Gjykata Kushtetuese, që deklaroi se nuk duhet patjetër të ketë zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, mund të ndodhë një skenar i ngjashëm vetëm në rast të përçarjes mes LVV e Listës Guxo.

Por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (i 28 majit 2020) mbi dekretin e Presidentit për krijimin e një qeverie të re pas mocionit të mosbesimit, ku thotë se nëse mocioni i mosbesimit ka më pak se votat e dy të tretat e deputetëve atëherë presidenti dhe partitë vendosin për qeveri të re, nënkupton se edhe nëse bie qeveria, një qeveri e re prap do të ishte e dominuar nga LVV nëse ajo arrin marrëveshje me tjera parti, psh merr si partner koalicioni AAK-në.

Gjëja që ofron stabilitet është aleanca që LVV e ka krijuar me disa parti të pakicave joserbe, përndryshe 58 deputetët e Listës LVV-Guxo nuk do të ishin garancë e stabilitetit institucional, pikërisht për faktin se Lista Serbe dhe disa deputetë të pakicave joserbe janë më të afërt me gardën e vjetër të politikës.

Pa atë aleancë, do të mund të përsëritej ndërrimi i qeverive ku tre deputetë të pakicave ndërrojnë taborr dhe formojnë qeveri me PDK/LDK/AAK/Pakicat. E tërë kjo nënkupton se efektivisht ekzistojnë dy pragje për krijimin e qeverisë, njëri që është 61 deputetë për Listën LVV-Guxo, dhe pragu tjetër i partive të gardës së vjetër që është 41 deputetë, sepse në rast se krijohet hapësira ata e formojnë qeverinë me vendet e garantuara të pakicave, siç ka ndodhur tashmë në 3 nga 5 qeveritë e pas-pavarësisë. Mirëpo, gjasat për këtë dislojalitet të atyre tre deputetëve të pakicave janë të vogla duke ditur raportet e mira me LVV-në.

Ulëset e pakicave në pikëpyetje Ekziston edhe një rrugë për të çuar drejt jostabilitetit institucional, jo vetëm të qeverisë por edhe të vetë Kuvendit. E kam fjalën për rastin që pritet të delë në Gjykatën Kushtetuese lidhje me abuzimin e vendeve të garantuara për pakicat joserbe nga Lista Serbe.

Këtë rast e ka paralajmëruar Partia Liberale Egjiptiane, dhe nëse e pranon Gjykata, atëherë kjo mund ta vë në pikëpyetje funksionimin e vetë Kuvendit. Problemi është se vendeve të garantuara për pakicat iu ka dalë afati i përcaktuar në Pakon e Ahtisarit. Kështu që ekziston një mundësi që Gjykata Kushtetuese të thërrasë për konventë kushtetuese për të vendosur se çfarë duhet të bëhet me këto ulëse e që potencialisht do të mund të pasohej nga zgjedhje të parakohshme.

Sidoqoftë, nëse kjo nuk ndodhë dhe nëse zgjidhet presidenti sipas orarit të rregullt, gjasat janë që pas një kohe të gjatë të kemi një qeveri me mandat të plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco