'Ekuilibri i frikës' paszgjedhore dhe vepra 'e hershme' e Ukshin Hotit

'Ekuilibri i frikës' paszgjedhore dhe vepra 'e hershme' e Ukshin Hotit

Nga Enver S. Morina - 20/03/2021

 

 

Gjatë leximit të veprës kapitale në miniaturë të Ukshin Hotit “Lufta e ftohtë dhe detanti” (botuar në shqip në vitin 1976) sikur i kthehem domosdoshmërisht Sokratit. Nuk ka përmbysje të pakompromis. Duke menduar se i dimë të gjitha, Ne njëkohësisht nuk dimë asgjë. Librin e ka shkruar në moshën 30 vjeçare. 
Për këtë vepër të Ukshin Hotit më ka pyetur një librashitës në rrugët e Tiranës. Ai që shet në veri të Tajvanit. U shtanga. Mahnitëse. 

Modestia, mendimi kritik dhe analiza shkencore e Ukshin Hotit shpërfaqet me një diskurs ontologjik si citat kur në kapitullin “Trajtimi amerikan i politikës së uljes së tensionit” thotë “autorët që merren me çështjet gjeostrategjike....”. Vetvetiu pyetja e lexuesit vjen deri këtu dhe në këtë vepër për të mësuar se për çka shkruan autori! Është Ukshin Hoti ai i cili mbështetet tek ekspertët e tjerë. “Siç tregoi analiza e politikës së luftës së ftohtë...” apo “... është i saktë konstatimi i një shkrimtari amerikan...”

Autori në këtë vepër me nëntitull “Prej politikës së luftës së ftohtë deri te detanti” shkrimtarët do i citoj edhe në dy çaste të rëndësishme të mendimit, siç  lexojmë: “Ajo që duhej arritur me negociatat e përmendura, ishte nevoja që bota të mësojë të jetojë me njohjen se mund të shkatërrohet brenda disa minutash. Disa shkrimtarë këtë e quajnë “ekuilibër të frikës” dhe ia përshkruajnë rolin vendimtar në ruajtjen e paqes ndërkombëtare...” dhe “Interesat e SHBA dhe të BRSS ishin aq divergjente dhe aq esenciale, sa që cilado luftë lokale, midis Lindjes dhe Perëndimit, do të shkaktonte luftë të përgjithshme nukleare. Për këtë shkak disa shkrimtarë thonë se në Evropë u bisedua me fjalë të nxehta në largësi të konsiderueshme...”
Po ta zbresim dhe të sjellim në kohën tonë, sidomos tek analistët e sotëm të politikës në përgjithësi, të gjithë dinë për gjithçka, edhe pse, ndoshta, dikush mund të thotë se nuk po thonë asgjë. 

Mallkimet e pakompromis “hyjnore”, qoftë kur bëhen për ironi të votuesve e të cilat herë, herë kalojnë vetvetiu në sarkazëm naiv, të cilat nuk përputhen me rehatinë e botës së moderuar konservatore. Të dhënat e historisë së civilizimit e shkruajnë edhe këtë: “Pas më shumë se 100 vjet luftë nga lëvizja e grave, gratë zvicerane më në fund morën të drejtën për të votuar dhe për t’u votuar, në pranverën e vitit 1971.” Në shkurt janë bërë 50 vite që gruaja zvicerane mund të votojë. Në anën tjetër “në vitin 1960 ishte Republika Popullore e Shqipërisë e cila propozoi zëvendësimin e Republikës së Kinës (Tajvanë) me Republikën Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara...”  
Disa nga psikologët e paktë shqiptarë vazhdojnë të merren me historinë e Dardanisë arkeologjike me premisa patriotike. Dhe mirë bëjnë. Disa psikoanalist shqiptar do të merren me mitin e Betejës së Kosovës bizantine me një diskurs fetar. Dhe mirë do të bëjnë. 

Rileximi, nxjerr nga vepra e Ukshin Hotit, siç e thotë presidenti amerikan i viteve të para të pasluftës së Dytë Botërore “Hari Truman ndau botën në dy sfera të kundërta. Bota e Perëndimit, sipas tij, shquhej me shfaqjen e dëshirës së shumicës të imponuar pakicës, ndërsa Lindja shquhej me “dëshirën e pakicës ... të imponuar me dhunë shumicës”, ngërthen një analogji pyetje-përgjigje edhe për stabilitetin e kushtetutshmërisë parlamentare. 

Demokracia e Republikës moderne-konservatore bashkë me Dardaninë arkeologjike dhe Betejën e Kosovës është një nga tri kohezionit monumentale për të tashmen e çastit ideolatrik, imagjinativ dhe i denjë për vepra shterpe të një pragmatizmi të kërkuar dhe të mirëqenë, kur planeti pas dy luftërave të mëdha botërore të shekullit XX ka hyrë në atë pandemike që mund të konsiderohet një luftë tjetër më përmasa tragjike, për çka mjekësia, edhe e Kosovës, mund të jap kontribut vlerësues e edukativ për shëndetin e qytetarëve të saj. Jo më shumë!? 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco