Topi në fushën e Lumirit

Topi në fushën e Lumirit

Nga Syri.net Kosova - 19/03/2021

Pas refuzimit të PDK-së dhe AAK-së për të votuar kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, shmangia e zgjedhjeve ka mbetur në duart e LDK-së. Ky është testi i parë për kryetarin e ri të sapozgjedhur, Lumir Abdixhiku.

Ai e ka përsëritur disa herë se do të jenë konstruktivë, por nuk e ka bërë të qartë pozicionin e partisë së tij, ku jo të gjithë deputetët mund t’i binden. Agim Veliu për shembull apo Driton Selmanaj, mund të rebelohen dhe të mos marrin pjesë fare në seancën ku votohet kandidatja për presidente.

Pa pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve, nuk mund të konsiderohet e ligjshme dhe kushtetuese zgjedhja e kreut të shtetit.

Koalicioni VV-Lista Guxo-pakicat joserbe, aktualisht llogarit në 64 vota për zgjedhjen e qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtin. Nëse supozojmë se 15 deputetët e LDK-së marrin pjesë në votim, prapë nuk përmbushet kuorumi kushtetuese, sepse nevojitet edhe një deputet. Lista serbe nuk ka paraqitur kushte për zgjedhjen e presidentes, ndërsa janë edhe 4 deputetë të tjerë minoritarë që do të duhej të ishin në seancë për të votuar.

Sidoqoftë, daljen nga bllokada eventuale e ka në dorë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Abdixhiku më tepër ka folur me retorika sesa ka dhënë një qëndrim të qartë. Një lider duhet të tregojë maturi por edhe guxim në momente vendimtare. Dështimi i zgjedhjes së presidentit, e çon vendin sërish në zgjedhje.

Ky është një rast i mirë për liderin e ri të LDK-së, të dëshmojë se është i shkëputur nga fryma e Isa Mustafës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Asnjëri prej tyre nuk e duan Vjosa Osmanin presidente.

Abdixhiku nuk mund të komandojë deputetët se si do të veprojnë, por një porosi të qartë e ka për obligim që t’ua japë. Votojeni Vjosën. Për apo kundër, pak rëndësi ka. Duhet përmbyllur procesi kushtetues dhe vendi të ecë përpara.

Për LDK-në, kjo është alternativa e vetme zhbllokuese dhe bashkëpunuese për hir të stabilitetit shtetëror. Një bllokadë e mundshme, do ta fuste edhe këtë parti në listën e “antiamerikanëve”.

Mesazhi i SHBA-së, ka qenë i qartë për opozitën: Konstruktivitet dhe bashkëpunim.

Këta pak deputetë që kanë partitë opozitare, nuk janë votuar që të bojkotojnë, por të veprojnë dhe të përfaqësojnë sovranin. Çdo veprim tjetër, është penalizues për ta. Shkuarja në zgjedhje, mund të rezultojë fatale për partitë humbëse, që do të luftonin për prag.

Abdixhiku, me siguri do të reflektojë, që të lërë një gjurmë pozitive në fillimet e lidershipit të tij, që shihet me optimizëm nga votuesit e LDK-së. Mbështetjen e Vjosës, më shumë do t’ia pranonin, sesa do ta refuzonin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco