Kundër shfuqizimit të autonomisë

Kundër shfuqizimit të autonomisë

Nga Shkëlzen Gashi - 20/02/2021

Në fund të vitit 1988 e në fillim të vitit 1989, shqiptarët ndërmorën një varg veprimesh paqësore kundër shfuqizimit të autonomisë së Kosovës, të bazuar në Kushtetutën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) të vitit 1974, nga ana e pushtetit sërb me në krye Slobodan Miloševi?-in.

Më 17 nëntor 1988, afro 3.000 minatorë të Kombinatit ‘Trepça’, e më pas edhe dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë nga e tërë Kosova, për pesë ditë me radhë, marshuan dhjetëra kilometra drejt kryeqytetit të Kosovës, për të kundërshtuar suprimimin e autonomisë së Kosovës, të bazuar në Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974. Një tjetër kërkesë e marshuesve ishte që të mos ndërroheshin dy udhëheqësit kryesor politikë të shqiptarëve të Kosovës - Kaqusha Jashari e Azem Vllasi.

Përkundër këtij marshi, që zgjati pesë ditë, në mot të ftohtë, e pa asnjë incident, pushteti sërb i shkarkoi dy udhëheqësit kryesor politikë të shqiptarëve të Kosovës - Kaqusha Jasharin e Azem Vllasin .

Tre muaj më vonë, më 20 shkurt 1989, mbi 1.000 minatorë të Kombinatit ‘Trepça’ u futën në grevë urie, në nivelet nëntokësore qindra metra të thella të minierës, duke kërkuar që të mos prekeshin parimet e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974. Një tjetër kërkesë e grevuesve ishte që të shkarkoheshin tre politikanët shqiptarë të Kosovës, vasalë të pushtetit sërb - Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi.

Greva përfundoi pas shtatë ditësh, më 27 shkurt 1989, kur Kryesia e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) premtoi se nuk do të prekeshin parimet themelore të Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974 dhe deklaroi se tre politikanët vasalë të Miloševi?-it kishin dhënë dorëheqje. Mirëpo, të nesërmen, pas përfundimit të grevës, tri dorëheqjet u kthyen mbrapsht, kurse të pasnesërmen u arrestua ish-udhëheqësi politik, Azem Vllasi, dhe drejtuesit e Kombinatit ‘Trepça’, me akuzën për organizimin e marsheve dhe të grevave me qëllim ‘kundër-revolucionin ndaj shtetit’ . 

Paralelisht me Grevën e Minatorëve, më 22 shkurt 1989, 215 punëtorë shkencorë e kulturorë, shqiptarë të Kosovës, nënshkruan një apel drejtuar Kuvendit të Sërbisë dhe opinionit të Jugosllavisë, në të cilin kërkonin që të merrej parasysh qëndrimi i shumicës së qytetarëve të Kosovës për ruajtjen e pozitës kushtetuese të Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974.

Nënshkruesit konsideronin se ngushtimi i autonomisë së Kosovës do të ishte akt anakronik dhe shkak i pakënaqësisë, si dhe paralajmëronin që përgjegjësinë për krizë do ta bartin ata që insistojnë për heqjen e autonomisë së Kosovës. Në fund fare, nënshkruesit i sugjeronin Kuvendit të Kosovës që të mos e japë pëlqimin për reduktimin e autonomisë së Kosovës. Disa javë pas publikimit, organet policore i arrestuan dhjetëra nënshkrues të këtij Apeli. 

Në fund të muajit shkurt 1989, Kryesia e RSFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë ‘për ta ndalë gjakderdhjen’ dhe menjëherë Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), me mbështetjen e rreth 1.500 policëve federalë nën komandën sërbe, ia mësyu Kosovës.

Studentët e Universitetit të Prishtinës (UP) organizuan protesta për disa ditë me radhë, e po ashtu edhe minatorët në miniera të ndryshme të Kosovës tentuan të organizojnë sërish greva, por ishin ndjeshëm më të vogla dhe u shuan shpejt nga autoritetet shtetërore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco