Sa vlen jeta e shqiptarëve të thjeshtë?

Sa vlen jeta e shqiptarëve të thjeshtë?

Nga Syri.net Kosova - 11/12/2020

Kur shteti bie në dorën e arrogantëve, mos të presim mbrojtje të të drejtave njerëzore. Vrasja makabre nga policia e një 25 vjeçari në Tiranë, nuk është një akt i izoluar, por shprehje e dhunës shtetërore. Kur krerët e qeverisë manifestojnë çdo moment fuqinë abuzive nga shpërdorimi i pushtetit, nuk të befason asnjë sjellje kriminale e zyrtarëve në rangje më të ulëta.

Lëvizja Black Live Matter lindi si revoltë ndaj padrejtësive që po u bëheshin personave me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët viktimizoheshin nga dhuna policore. Ngjarja e tmerrshme në kryeqytetin shqiptar, ka nxitur zemërim e indinjatë të thellë te njerëzit. Arroganca e kryeministrit aktual, e ka ushqyer prej kohësh urrejtjen te shqiptarët. Kësaj zemërate, një shkëndije, mund t’i japë përmasa serioze, edhe pse zinxhiri pushtetor, më tepër është i brengosur për bredhin që është dëmtuar.

Në kohën e komunizmit, nuk kanë kryer punë revoltat e tilla, sepse dihej fundi në një regjim diktatorial. Sot, pavarësisht se sa diktatoriale të jetë prirja e një lideri, siç është Edi Rama, populli gjithnjë mund t’ia japë përgjigjen e merituar. Një idiot i rrezikshëm nuk mund të luajë pa fund me fatet e një vendi.

Për një qeveri që sundon, jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk ka pikë vlere. Nuk ka të drejtë më të rëndësishme sesa e drejta për jetë. Askush nuk mund ta cënojë atë, në një vend që i thotë vetes demokratik.

Të vrasësh pas shpine një të ri, sepse ka shkelur orën policore, është diçka e paimagjinueshme që vetëm një shtet i degraduar mund ta prodhojë si histori tragjike. Tragjizmi thellohet, kur shteti përpiqet ta manipulojë vrasjen, të fshehë provat, të sajojë rrethana lehtësuese për policin kriminel që rezulton i afërt me pushtetin.

Sa e sa shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht, si pasojë e mospërfilljes së të drejtave të tyre. Sa më arrogantë qeveritarët, aq më të rënda pasojat.

Ndërsa Shqipëria vlon nga revolta, kurrë nuk ka qenë më emergjente që në rend të parë të vihet mbrojtja e jetës së shqiptarëve.

Vetëm dje, në vendet e punës, dy viktima u shënuan në Kosovë. Siç ndodh rëndom, lajmet e dhëna në disa edicione i takojnë së djeshmes e kush nuk merret me arsyet e vdekjes në vendin e punës. Shumica e shqiptarëve sot janë të pambrojtur, sepse administrata shtetërore dhe politika që e dirigjon sipas interesit të saj, nuk është në shërbim të tyre.

Derisa qeveritë të mos veprojnë si shërbyese në realizimin e të drejtave njerëzore dhe mbrojtëse të fuqishme të jetës se secilit individ, gjithnjë do të mbetemi të pasigurtë në vendin tonë.

Padrejtësi dhe krime do të ketë gjithnjë, por kështu siç ndodh te ne, në mënyrë të organizuar në nivel shtetëror, është e paparë në shtetet demokratike.

Për Shqipërinë, shprehja “ra ky mort e u pamë”, është e tejkaluar tashmë. Vrasja e Klodianit, është edhe një ngjarje kriminale që e prodhon një regjim mafioz, ndaj së cilës njerëzit nuk mund të rrinë më duarkryq e të heshtin.

Jeta e çdo njeriu vlen e shqiptarët duhet të ngriten në këmbë për të mbrojtur të drejtat që ua garanton ligji.

Ora policore është bërë për të shpëtuar jetë njerëzore e jo për të marrë jetë të pafajshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco