President nga zarfi ose zgjedhje të reja...apo të dyja bashkë

President nga zarfi ose zgjedhje të reja...apo të dyja bashkë

Nga Syri.net Kosova - 10/12/2020

 

Nëse u zihet besë partive kosovare, ato nuk duken të gatshme ta zgjedhin presidentin e ri të Kosovës. Një marrëveshje që do të shmangte zgjedhjet parlamentare, nuk u arrit sa ishin në Prishtinë ‘kokat’ e manovrave politike, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Pa ata të dy, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa duket i pashpresë në përpjekjen për t’ia zgjatur jetën qeverisë së Avdullah Hotit.

AAK e do për vete presidentin dhe është e gatshme ta “sakrifikojë” kryetarin e saj të përhershëm. PDK thotë se do të votojë vetëm një kandidat që e propozon ky subjekt politik. LDK me dëshirë ia jep presidencën aleatit të dikurshëm, ndërsa ka rezerva ndaj Ramush Haradinajt.

Më së largu deri në janar të vitit të ardhshëm, Kosova duhet ta ketë emrin e presidentit të radhës ose datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Asnjë tryezë diskutimi nuk është mbajtur mes partive. Liderët kanë zgjedhur studiot televizive për të shprehur pikëpamjet e tyre e për të komunikuar në distancë me njëri-tjetrin. Kjo mungesë komunikimi e dialogu, e bën edhe më të zbehtë shpresën për të gjetur një zgjidhje. Ciladoqoftë ajo, zgjedhjet duken zgjidhja më e mirë për vendin.

LDK-së i intereson ta tërheqë PDK-në në qeverinë që mezi mbahet në pushtet, sepse kështu partia e Isa Mustafës i ngjall shpresat për ta lënë Partinë Demokratike në vendin e tretë. Sondazhet po e nxjerrin më mirë se LDK-në, PDK-në. Kjo e fundit, është në mëdyshje të madhe a të vazhdojë opozitarizmin e butë apo ta çojë vendin në zgjedhje.

Për AAK-në, nëse Haradinaj nuk bëhet president tani, ka gjasa herën e ardhshme pas zgjedhjeve. Shkuarja drejt kutive të votimit, së paku do ta mbajë gjallë ambicjen e tij presidenciale. Krerët e kësaj partie nuk e fshehin mundësinë e një partneriteti të ri me VV-në. Edhe pse Ramushi e quante mashtrues Albin Kurtin, ku i dihet...tash kanë ndryshuar gjërat.

Por çështja presidenciale, që e ka urgjencën më të madhe, do të jetë e hapur edhe pas zgjedhjeve. E komplikuar gjithashtu. Pavarësisht fitores që mund ta ketë Vetëvendosje, pa një konsensus të gjerë partiak, nuk mund të zgjedhet kreu i Republikës.

Siç ndodh rëndom në raste të tilla, e domosdoshme është tani një ndërhyrje nga Dragodani. Ashtu siç na erdhi zarfi i Atifetes, pse jo, të mos mbërrijë një zarf tjetër dhe t’i japim fund këtij ngërçi. Një president apolitik dhe jo i komanduar nga pazaret e partive, është shumëfish më i dobishëm.

Nga ana tjetër, zgjedhja paraprakisht e presidentit neutral me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, do t’ua heqë nga dora subjekteve kosovare një mjet shantazhi e presioni pas zgjedhjeve, kur negociohet formimi i qeverisë së re.

Zgjedhja e presidentit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve, do t’i jepnin një frymëmarrje shpëtimtare Kosovës. Qeverisja do të fitonte legjitimitetin e munguar, e presidenca do të çlirohej nga prapaskenat e pazarave të politikës.

Një zgjidhje të tillë, duhet ta japë dhe ta mbështesë edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje. Albin Kurti do me çdo kusht zgjedhje, por ai e ka humbur mbështetjen në Kuvend në ditën kur dy të tretat e rrëzuan qeverinë e tij. Një emër konsensual presidenti dhe dakordim për datën e zgjedhjeve të parakohshme, është një kompromis i dobishëm për të gjitha palët.

Politikanët kosovarë nuk do të duhej ta prisnin janarin për të arritur një marrëveshje. Liderëve të partive u takon të bëhen aktivë e të ulen së bashku për të arritur te marrëveshja.

Këto janë javë kritike ku është në pikëpyetje stabiliteti i Republikës dhe i tërë rendi kushtetues. Me një qeveri në detyrë mund të vazhdojmë me muaj të tërë, por detyrën e presidentit nuk mund ta ushtrojë më tepër se 6 muaj kryeparlamentarja.

Dështimi për të arritur një marrëveshje, e fut Kosovën në një anarki nga e cila askush nuk di si mund të dilet pastaj.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco