Një president nga UÇK

Një president nga UÇK

Nga Syri.net Kosova - 08/12/2020

Për politikanët e dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kjo mund të jetë mundësia e fundit për të pasur një pozitë të lartë shtetërore. Me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në Hagë, shanset për të mbetur në pushtet janë zvogëluar së tepërmi për partitë e krahut të luftës.

Keqqeverisja e korrupsioni, autoritarizmi e klientelizmi gjatë dy dekadave në institucionet shtetërore, i kanë bërë njerëzit në Kosovë gati të pandjeshëm ndaj zhvillimeve në Gjykatën Speciale.

Vendi është në prag të një shpërthimi të ri elektoral, kurdo që mbahen zgjedhjet. Njerëzit e luftës, po e humbin mbështetjen falë veprimeve të gabuara që i kanë ndërmarrë dhe pafuqisë për t’u distancuar nga shumë afera e skandale e mbi të gjitha, nga etja e sëmurë për pushtet e para.

Megjithatë, ajo që mbetet e shenjtë është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I vetmi lider që ka mbetur në Kosovë, nga të ‘fortit’ e luftës është Ramush Haradinaj. Ai po këmbëngul se në këto rrethana, është presidenti i duhur, por nuk ka ende një mbështetje nga PDK-ja. Partia e Kadri Veselit, e do për vete presidencën.

Përplasjet kanë nisur mes njerëzve të PDK-së e AAK-së, që shpërndajnë në rrjete sociale video e statuse thumbuese për njëri-tjetrin.

Haradinaj ka dëshmuar se në aspektin kombëtar, di të qëndrojë siç bëri me taksën ndaj Serbisë apo ndaj planit për ndarjen territoriale të Kosovës. Megjithatë, ka edhe ai mëkatet e veta. Demarkacioni është një plagë e hapur ende, që nuk u shërua as pasi u bë kryeministër lideri i AAK-së. E plot episode të shëmtuara në qeverisjen e PAN-it apo më herët.

Haradinaj është një autoritet, por mbështetja popullore mbetet e vogël për të pretenduar presidencën, si simbol i unitetit. Fuqia e vogël elektorale megjithatë, nuk prish punë nëse ka marrëveshje. Behxhet Pacolli ishte zgjedhur president si lider i një partie të vogël, por u detyrua të tërhiqej sepse rezultoi jokushtetuese procedura e zgjedhjes së tij.

A është Ramush Haradinaj, kandidati i duhur? Ciladoqoftë përgjigja që do t’ia japë politika kosovare, ky është momenti ndoshta i fundit, për aspiratat pushtetore të njerëzve të UÇK-së.

Nëse jo Haradinaj, mund të jetë edhe dikush tjetër që së paku ka një lidhje të fortë me luftën. Partitë kosovare tani mund të tregojnë javëve në vazhdim se çfarë rëndësie ka një ndërlidhje e tillë dhe sa e vlerësojnë realisht UÇK-në.

Nëse debati për presidentin e ardhshëm shtrohet në këtë mënyrë, edhe Vetëvendosje detyrohet të reflektojë. Kuptohet, me caktimin edhe të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në dekadën e re kur Kosova sfidohet në Gjykatën Speciale, ku kanë përfunduar presidenti dhe dy ish-kryeparlamentarë, një president me erë UÇK-je, nuk është për ta hedhur poshtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco