Ata po ikin në heshtje, e ne po i përcjellim me refrenin e këngës funebre!

Ata po ikin në heshtje, e ne po i përcjellim me refrenin e këngës funebre!

Nga Astrit Veliqi - 06/12/2020

Sot humbën jetën 19 persona, dje vdiqën 14 të tjerë, të premten ikën nga kjo botë 11 kosovarë, derisa e enjtja ishte kulmi, ku shkuan në amshim plot 22 njerëz tanë.

Ata po ikin në heshtje, e ne po i përcjellim me refrenin e këngës funebre!

Këto lajme, nuk janë dosido, por janë sa të dhimbshme aq edhe tragjike me plot dhimbje e merzi, por si të tilla në fakt janë bërë reale, dhe si pamje e tablo trishtimi duke marrë ngjyrat e një refreni i cili pothuaj përseritet brenda 24 orëve.

Kjo është me pak fjalë katastrofa e sinekdotës kosovare, e cila si kurrë me parë po përballet me pandeminë globale e njohur si Covid-19, ku pikërisht nga lufta e pakompromis ndaj saj, edhe ka shkallmuar sistemin shëndetësor në Kosovë.

Por kjo pamje trishtuese e cila si duket ka dalë nga kontrolli tek ne, po ndodhë e po përjetohet kudo në vendet e rajonit, e tillë është edhe në Shqipëri, vendet e Ballkanit, Evropë, Amerikë, e kudo tjetër në planet.

Nga ajo që shihet deri tani, ky virus i rrezikshëm, si duket ka hyrë në një valë të dytë të tij, e cila po bën kërdinë e saj, sidomos të te moshuarit, por nuk po i përjashton edhe rastet më të reja.

Kjo është padyshim tragjedia më e madhe që Kosova po përjeton në sistemin shëndetësor, e cila nuk është parë asnjëherë në histori.

Por jetën dhe rrethanat e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm po e bën edhe më të vështirë, stina kalendarike e dimrit, e cila me virozat e saj sezonale, e ka etabluar duke e bërë me të vështirë edhe parandalimin e tij.

Por derisa jemi në keto rrethana mjaft të vështira, si lajm i mirë është edhe pritja e vaksinës anti-covid, për të cilën po bëhet gara më e madhe se cila duhet të jetë më e mira duke bërë luftë për sa ma shumë territor dhe vende.

E tashmë disa vende, sidomos në Britaninë e Madhe, vaksina anti-covid e ka marrë dritën jeshile, ku priten të vaksionohen me miliona britanik, derisa vendet e BE-së po e presin aprovimin për lejimin e saj, e ku shpresat këtu i ka edhe Kosova.

Kosova në bazë të protokolleve shëndetësore pritet t'i merr falas dikun 350 mijë vaksina, derisa të tjerat pritet t'i sigurojë përmes buxhetit shtetëror.

Por edhe përkundër se vaksinat më së largu të ne parashihet të vijnë kah fundi i vitit, apo në janarin e vitit 2021, kjo kohë si duket do të jetë e veshtirë për faktin, se infektimet në vend me Covid po rriten, sikur edhe shifrat e frikshme me pasoja fatale.

Definitivisht, prej marsit e deri tash, të infektuar me Covid në Kosovë janë mbi 42 mijë persona, derisa të vdekur janë 1.106 raste, kurse të shëruar janë mbi 28 mijë raste, derisa numri i rasteve aktive është mbi 13 mijë.

Këto pamje dhe ky numër padyshim që është alarmant për Kosovën e cila krahasuar me vendet e tjera është vend i vogël sikur edhe me pak banorë.

E përveç këtij realiteti, e trishtë është edhe pamja që po shohim sidomos në rrjetet sociale, ku miqtë por edhe ata që i njohim, po japin lajmin e kobshëm për humbjen e më të dashurve të tyre.

Por si duket na ka mbetur veç t'i lutemi Zotit, që kjo pamje e dhimbjes së madhe të merr fund, dhe jetës t'i kthehet normaliteti.

Por kjo e fundit, në shikim të parë, pritet të jetë vështirë e arritshme, por shpresat e njerëzimit kanë mbetur vetëm të vaksina anti-covid.

E kjo duhet të na përgatitë të gjithëve, pa përjashtim si shoqëri dhe si shtet, por edhe si qytetar në mënyrë, që ky virus i rrezikshëm të mbetet vetëm një episod i kaluar i një këngë funebre, e cila do të duhej të përkujtohet me refrenin dhe melodinë e saj tragjike në çdo përvjetor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco