Albin Kurti nuk u rrëzua me Fake News, Podujeva na tregoi efektin e lajmeve të rreme

Albin Kurti nuk u rrëzua me Fake News, Podujeva na tregoi efektin e lajmeve të rreme

Nga Syri.net Kosova - 06/12/2020

 

Një studim i bërë nga disa ekspertë për nevojat e një komiteti të Parlamentit Evropian, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Raporti në fjalë tregon për një të vërtetë të cilën e kemi mësuar më herët, por tani u riaktualizua. Të dhënat e raportit, megjithatë e zmadhojnë dukshëm efektin e lajmeve të rreme në rënien e qeverisë së udhëhequr nga lideri i Vetëvendosjes.  

Qeveria Kurti u rrëzua me 82 vota në Kuvend dhe ky ishte një akt i ligjshëm, edhe pse i kritikuar si jolegjitim dhe i dëmshëm për Kosovën, nën presionin amerikan për një marrëveshje të shpejtë me Serbinë.

Në fakt, presioni real dhe i njohur për të gjithë, është ai që vinte nga zyra e presidentit Hashim Thaçi, që sot është në Hagë. Atij i ngutej më shumë se të gjithëve, që të bënte një marrëveshje, ta ndante Kosovën, ta shpallte amnistinë e krimeve të luftës duke e bërë nul Gjykatën Speciale. Hovit të tij drejt realizimit të planit që mbështetej nga presidenti serb Vuçiq dhe kishte miratimin e kryeministrit Edi Rama, iu përgjigj Gjykata e themeluar me presionin e vetë ish-kreut të shtetit, duke publikuar paraprakisht një aktakuzë ende të pakonfirmuar.

Roli i disa mediave, ishte i qartë-ta përligjnin rënien e qeverisë Kurti.

Studimi mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

"Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet  në studimin, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Ky studim tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020.

Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.

Më 20 prill, teksa ishte kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference online për mediat ndërkombëtare deklaroi se mocionin e mosbesimit LDK-ja e kishte bërë në koordinim me Grenellin, duke argumentuar se qeveria e tij u rrëzua vetëm pse Grenellit po i ngutet “që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”.

Sipas pretendimeve në këtë dokument, të cilat janë bërë sipas analizës së mediave sociale, si mediat ashtu edhe politikanët u përfshin në këtë fushatë, të cilën studimi i identifikon si “kanale kryesore të dezinformimit në Kosovë”. Në dokument përmenden media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i atëhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell”, thuhet në dokument.

Autorët e studimit pretendojnë se çështja e Kosovës ilustron më së miri kompleksitetin e fenomenit lajmeve të rreme dhe se ky është një rast i rrallë ku ky “rezultat politik mund të atribuohet drejtpërdrejt keqinformim”.

Por, a e rrëzuan lajmet e rreme dhe kjo fushatë, Albin Kurtin? Edhe pse raporti e potencon një fakt të tillë, e vërteta është më ndryshe. Kurti edhe mund të qëndronte në qeveri, por duket se zhvillimet në kohë pandemie, e nxitën që ta provokonte një moment krize me shkarkimin e Agim Veliut, numrit dy të LDK-së, pa e përfillur fare Isa Mustafën.

Preteksti tashmë ishte krijuar. Mjaftonte ekzekutimi. Rrëzimi në Parlament, u pasua nga një vendim me pasoja i Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, dëmi më i madh që iu bë Kosovës ishte pikërisht ky aktvendim, që dukej se ishte shkruar sipas shijes së Thaçit.

Me një fjalë, e njëjta Gjykatë Kushtetuese që në vitin 2014 kishte thënë se askush nuk e bën dot qeverinë pa partinë fituese, gjashtë vjet më vonë u tha kosovarëve se qeverinë e bën kushdo që i bën 61 vota në Kuvend.

Thaçi, Mustafa e Veseli, i bënë 61 vota, dikënd duke e shmangur nga burgu, e dikujt duke i shkuar mysafir në mesnatë. Erdhi kështu qeveria e Avdullah Hotit. Sa më tepër bëhej e qartë kjo skemë politike për interesa të ngushta, aq më shumë shtohej keqardhja dhe simpatia për partinë e Albin Kurtit.

Se sa patën efekt lajmet e rreme, propaganda mediale, e pamë në zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës. Në bastionin e pamposhtur, Vetëvendosje i mundi pa balotazh Isa Mustafën e Agim Veliun. Një sinjal i qartë, se çfarë trendi mund të ketë vota popullore në zgjedhjet parlamentare, kurdo që mbahen.

Mediat mund të mbajnë anë politike, por kur flasim për të vërtetën, sado ta shtrembërosh, nuk e fsheh dot.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco