Një luftë e heshtur Prishtine

Një luftë e heshtur Prishtine

Nga Majlinda Bregasi - 10/09/2020

Hana dhe Bela janë dy 15-vjeçare prishtinase, janë rritur në të njëjtën lagje të kryeqytetit ku prindërit janë transferuar pas luftës. Kanë vijuar të njëjtat shkolla, të njëjtat klasa dhe vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën ndërtesë që prej lindjes. Hana jeton një kat më poshtë se Bela, në njërën nga ndërtesat e realizmit socialist që shquhen për shëmtinë, ftohtësinë, uniformizmin e mbi të gjitha lakuriqësinë e tyre. Aq të ngjashme janë ndërtesat e lulëzimit të realizmit socialist nëpër Evropën e kuqe, saqë kufijtë nuk mjaftojnë si shenjues identiteti. Ato bien, shkrihen, zvetënohen, ndërsa kalon nga njëri shtet në tjetrin, ku qytetet rreshtohen njëri pas tjetrit si ushtri të ngurta në mbrojtje të idealit të njëtrajtësimit.

Hana për dallim nga Bela është bionde me sy të kaftë. Mollëzat e faqeve i rrinë gjithmonë të kuqe, ndërsa një buzëqeshje e lehtë nuk i ndahet nga fytyra. Bela ka një fytyrë jo aq tipike për vajzat e zonës. Është flokëkuqe me sy aq të kaltër, saqë është e pamundur të mos qëndrosh gjatë në shikimin e saj për ta soditur. Gjërat e rralla të marrin gjithmonë më shumë kohë. Të dyja vajzat janë nxënëse të shkëlqyera, edhe pse e fshehin bukur xhelozinë për suksesin e njëra-tjetrës. Prindërit intelektualë i kanë mësuar të jenë korrekte.

Deri këtu historia mund të duket e huazuar nga “Mikja gjeniale” e Elena Ferrantes. Napoli i pas Luftës së Dytë Botërore dhe Prishtina e pasluftës me Serbinë kanë megjithatë aq ngjashmëri, saqë mund të kapërcesh nga njëri kontekst te tjetri pa e vërejtur. Por dallimi qëndron te e vërteta. Hana dhe Bela, përveç emrave që mbajnë në këtë tekst, janë pjesë e një realiteti jo të letrarizuar, as të transformuar.

Një ditë Hana i telefonon Belës për t’i thënë se nuk mund të shkojë te apartamenti i saj për të studiuar, ashtu siç bënin çdo pasdite. Arsyeja ishte se prindërit ia kishin ndaluar të shkonte te shtëpia ku nëna e Belës jetonte tashmë me burrin e ri. Hana nuk mund të shkonte në shtëpinë ku jetonte edhe burri i ri. Bela mbetet e ngrirë me telefon në dorë pa nxjerrë asnjë zë. Në kokë i vlojnë mijëra skena ku kish qenë e pranishme që nga ndarja e prindërve. Skena ku ish skuqur nga turpi të cilin nuk e kishte bërë, por që e meritonte. Skena ku qe trembur nga ndarja që nuk e kish bërë, por që e jetonte. Skena ku i kishte dhembur aq fort shpirti nga grindjet që nuk i kishte bërë, por që e vrisnin. Skena ku kishte dashur të fluturonte në një planet tjetër për të shpëtuar nga sytë kureshtarë që e përcillnin rrugës sa herë dilte me të ëmën dhe burrin e ri.

E ëma e Belës është po aq atipike sa e bija. Është grua që e dallon lehtë mes të tjerave, jo për pamjen e saj, por për bindjet, idetë e mënyrën si e shikon jetën. Është një lloj shikimi që i bën shoqërisë duke vendosur një distancë gati të çuditshme mes tyre. Është pikërisht kjo distanca e saj jo e zakonshme për një kryeqytet kaq të zakonshëm ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin, që e bën të duket si e një bote tjetër, edhe pse gjendet dy hapa para teje. Është grua e lirë. Këtë liri e ka fituar me shumë studime. Është ai lloji i lirisë që vështirë fitohet, por edhe më vështirë komprometohet. Hesapet me veten kurrsesi nuk ta qesin. Tashmë je bërë rob i saj.

Ky fakt për një grua në botën shqiptare, nëse nuk është krim, është faj, faj i papranueshëm. E kur gjërat nuk thuhen, duket sikur nuk ekzistojnë, por jo gjithmonë. Ata vrasin edhe pa pasur një emër. Liria për një grua është faj, aq më tepër nëse gruaja është e martuar. Një grua e martuar nuk mund të jetë e lirë, jo aq sa të vendosë të lërë burrin. Maksimumi, burri mund ta lërë atë, atëherë ajo merr natyrshëm rolin e viktimës, që neve në Kosovë na pëlqen ta quajmë me përkëdheli vejushkë. Sado mund të duket groteske kjo që po them, këtij realiteti nuk i shpëtojnë as gratë e shkolluara, të punësuara apo intelektuale. Sado që ato mundohen ta fshehin bukur, ashtu si Bela dhimbjen e saj, ato e ndiejnë që janë “fajtore” të një faji që ua kanë ngjeshur së pari miqtë, kolegët, e që pastaj përhapet si valët e ujit që krijon një gur kur zhytet në liqenin e qetë.

Ta hedhë i pari ai që nuk ka mëkat, dhe asnjëri nga miqtë nuk hezitoi. Të parët gjuajtën poetët. Ata që i këndojnë lirisë. Shpesh nënës së Belës i ka mbetur përshëndetja mes dhëmbëve nga miqtë e vjetër që bënin sikur nuk e shihnin apo nuk e njihnin. Ndonjëherë edhe Bela ka qenë me të dhe nuk ka guxuar ta pyesë të ëmën pse ata nuk po e përshëndesin. Ka ulur kokën e ka bërë sikur nuk ka folur, sikur nuk ka parë, sikur nuk ka dëgjuar. Mbijetesa është formulë e thjeshtë, në dukje.

Kur për herë të parë nuk ta thyen zemrën i dashuri, por ndarja e prindërve, ndryshon përgjithmonë mënyra si e ndien apo e shfaq dashurinë. Do jesh gjithmonë i përgatitur nga rreziqet e dashurisë, një ndarje e mundshme nuk do jetë asnjëherë risi, do ua hapësh shumë ngadalë e me kujdes derën njerëzve në jetën tënde, për çdo gjë do të jesh i/e përgatitur. Por të gjitha këto marrin një dimension minor në krahasim me atë se çfarë do të thotë të jesh fëmijë i prindërve të divorcuar në Kosovë. Të jesh fëmijë i tillë në Kosovë, do të thotë që ta fillosh jetën me luftë, një luftë ku jo gjithmonë e di në cilin krah po lufton, kush janë aleatët e armiqtë e tu. Luftë ku çdo ditë humbet besimin te njerëzit, derisa më në fund të bëhesh armik i vetvetes.

Deri këtu babai i Belës nuk hyn në tekst. Jo pse ai nuk ka meritat e veta, por se ai është burrë i mirë, artist, punëtor i palodhur, i cili më në fund pas shumë përpjekjesh për ta mbajtur gruan brenda në shtëpi, qoftë edhe për hatër të botës, ndoshta edhe më shumë për hatër të botës, gjeti paqe te një grua tjetër. Në shtëpinë e tyre Hana mund të shkojë sa herë të dojë për të studiuar apo lozur me Belën. Askush nuk e ndalon të shkojë te banesa e gruas së re.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco