Ata e ato fotografohen, ne skuqemi!

Ata e ato fotografohen, ne skuqemi!

Nga Enver Robelli - 10/09/2020

Ekziston në gjermanisht folja: “fremdschämen”. Në vitin 2010 në Austri kjo folje është shpallur “fjala e vitit”. Çka domethënë “fremdschämen”?

Domethënë: kur të vjen turp për marrëzitë e tjetrit apo tjetrës për shkak se ai ose ajo s’turpërohen, kur të vjen marre për diçka që e ka bërë tjetri apo tjera, ndërsa ai ose ajo nuk turpërohen, sepse ose janë të paaftë për t’u turpëruar ose veprat e turpshme nuk i shohin si të tilla. 

Është e pamundur që kjo folje e gjermanishtes të përkthehet në shqip me një fjalë. Por në një kontekst krejt tjetër shkrimtari Rifat Kukaj e ka gjetur përshkrimin e saktë në shqip: “Fol ai e skuqu unë”. 

Pse dhe kur më kujtohet folja “fremdschämen”? Për shembull: sa herë që ministrat e zëvendësministrat (këtu hyjnë edhe gratë ministre e zëvendësministre) postojnë fotografi në Facebook dhe gjetiu në botën digjitale nga takimet e tyre krejtësisht të parëndësishme. 

Takova sot bashkëpartiakët. Takova sot shoqet. Takova sot tezet. Takova sot “mikun tim”. Takova sot “miken time”. Takova nënën. Takova çikën e dajës. Takova çikën e tezes. Takova djalin e dajës. Takova hallën. Takova gjyshen. Krejt këto takime të zhvilluara në zyra qeveritare.

Krejt këto takime “sa për kafe”, e kafet të paguara nga taksat e qytetarëve më të varfër në Europë. Krejt këto takime sa për të krijuar përshtypjen e rrejshme se “po merremi me punë shtetërore”. Pse, bre, nuk ju vjen marre?! Ata e ato fotografohen, ne skuqemi! Ndonëse nuk kemi arsye, sepse turpi është i tyre. Në pritje të fotografisë së radhës...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco