KQZ: Janë numëruar 102 nga 223 kuti të votimit me postë

KQZ: Janë numëruar 102 nga 223 kuti të votimit me postë

17:00, 15/06/2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri të hënën në ora 16:00 janë numëruar 102 nga gjithsej 223 kuti votimi, që përbëjnë 35.87 për qind të totalit.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur se në këto kuti janë vendosur zarfet me fletëvotime pasi ato janë aprovuar paraprakisht nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar”, ka njoftuar KQZ.

Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për këtë mënyrë votimi ishte rreth 105 mijë.

Një ditë më parë, KQZ kishte përfunduar procesin e vlerësimit të 85.790 pakove të supozuara me fletëvotime.

“Prej tyre janë aprovuar 82.809, ndërkaq janë refuzuar 2.981”, thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së, këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të institucionit në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco