Dosja e njohur si "Aruba", pjesë e hetimeve ndërkombëtare të lidhura me "Black Eagle", ka provokuar sërish debate të ashpra mbi rolin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe drejtësinë e shumëpërfolur si selektive. Ekziston një denoncim i hapur publik se autoritetet shqiptare po mbrojnë qëllimisht emrat e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të përfshirë në afera korruptive, duke përdorur vetëm emrat e biznesmenëve si "ushqim" për opinionin publik.
Sipas deputetit të PD Gjin Gjoni që ishte i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv në një intervistë, me gazetarin Arnold Kariqi, dosja hetimore ka mbërritur e plotë nga autoritetet spanjolle, por ka një heshtje totale mbi ata që kanë lidhje politike apo pozicione të larta shtetërore. Zbulimet aludojnë për një takim sekret të zhvilluar në Aruba, ku është ndarë fati i pasurive kombëtare, ndërtimeve në bregdet dhe ku besohet se pastrohen paratë e ardhura nga trafiku i lëndëve narkotike. Supozohet me forcë se një ndërhyrje dhe kontroll kaq i gjerë e masiv i pronave, nuk mund të bëhet kurrsesi pa një miratim të drejtpërdrejtë në nivelet më të larta qeveritare, duke përfshirë dhe vetë kryeministrin.
Skema e thellë e abuzimeve raportohet të shtrihet në të gjithë vijën bregdetare të vendit. Këto zhvillime sjellin në vëmendje një standard të dyfishtë të drejtësisë, e cila heziton të prekë personat e lidhur drejtpërdrejt me pushtetin qendror.
Arnold Kariqi: Kam deputetin e Partisë Demokratike në studio Gjin Gjonin. E nisim pak me deklaratën e zotit Berisha dhe ka interes shumë të lartë dhe nga ajo që po ndiqet edhe nga autoritetet belge, raportimi për dosjen “Black Eagle”. Sipas zotit Berisha, akuzat ishin drejtuar drejt Dumanit se ai ka nxjerrë vetëm emrat e biznesmenëve të përfshirë në dosjen e famshme “Aruba”. Sipas liderit të opozitës, dosja erdhi e plotë nga autoritetet spanjolle dhe po mban të fshehta emrat e qeveritarëve.
Gjin Gjoni: Është e vërtetë dhe deklarata e zotit Berisha sot përpara SPAK-ut ka vënë pikat mbi 'i' në raport të mënyrës se si është organizuar takimi në Aruba dhe rezulton që ka një nxjerrje të pjesshme të atyre personave të cilët janë të lidhur me biznesin, por nuk jepet në mënyrë absolute emrat e personave të cilët kanë qenë politikanë apo zyrtarë të lartë të qeverisë. Aludohet deri dhe në përfshirjen e zotit Rama vetë personalisht në Aruba në këtë takim, ku janë ndarë llokmat e mëdha të biznesit dhe të ndërtimeve si rezultat i trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave. Unë them që është në të mirën e organit të prokurorisë që të japë të gjithë emrat e personave të cilët kanë qenë në këtë takim, pasi këto emra do të dalin me kalimin e kohës, por është mirë që të dalin që në momentet e fillimit. Dhe ju të jeni të sigurtë që nuk mundet të realizohet as edhe një lloj ndërhyrje sado e vogël, sado e vogël, pa bekimin e zotit Rama në rastin konkret edhe në lidhje me çështjen Aruba. Dhe personat të cilët sot janë konsideruar investitorë strategjikë apo kanë marrë llokma të mëdha në bregdet, janë të gjithë njerëz të cilët janë të lidhur me Edi Ramën dhe janë 10-15 persona të cilët sot kanë privatizuar ajrin, ujin, tokën, detin, pyjet dhe gjithçka tjetër.
Arnold Kariqi: Pra nuk mund të vijnë investime kaq të mëdha e pastrimi i parasë pa ok-in e dikujt?
Gjin Gjoni: Pa ok të kryeministrit.
Arnold Kariqi: Sepse e ka në dorë mekanizmin ai në fund fare.
Gjin Gjoni: Absolutisht, sepse ai ka në dorë mekanizmin. E para, që ju e shihni që sot në portet dhe aeroportet nuk kapet në mënyrë absolute as edhe 1 kilogram kokainë dhe lëndë narkotike, dhe ka një periudhë kohore shumë të gjatë që nuk kapet, për një arsye shumë të thjeshtë sepse personat të cilët sot administrojnë aeroportet dhe portet janë persona të cilët janë të lidhur me Edi Ramën. Dhe është njëra anë. E dyta nuk mund të jepet asnjë lloj leje ndërtimi në bregdet dhe në zona të cilat kanë një interes të lartë të shtuar për të investuar nga ana e biznesmenëve shqiptarë, në rastin konkret pa lejen e Edi Ramës. Dhe e treta, nuk ka investime të huaja, të cilët sot të ofrojnë eksperiencën e tyre, përvojën e tyre në fushën e turizmit, të cilët të kenë hyrë në Shqipëri dhe të jenë emra prestigjiozë siç pretendohet në rastin konkret. Edhe po të shohim rastin e Zvërnecit, i cili është një makinacion i cili është thurur në mënyrë të atillë, ku janë futur shumë duar brenda, dhe nga të dhënat të cilat janë deri në momentin aktual dhe janë bërë publike, rezulton që pjesën më të madhe të pronave i kanë marrë njerëzit të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me Edi Ramën. Dhe dinë mënyrën e zhvillimit dhe të mënyrës së ndërtimit në këtë zonë.
Arnold Kariqi: Dhe se do ndalem pak dhe tek ajo që sapo përmendët deputet. Pra për t'u ndalur tek ajo që ne shohim, pra hidhet herë pas here jemi mësuar që u hidhet në treg qytetarëve, popullit, publikut, emra biznesmenësh, kurrë nuk shkohet tek emrat e politikanëve. Mund ta quajmë këtë, sepse gjithmonë ka një akuzë jo vetëm nga opozita, por edhe nga ana e listave gazetarë që janë kritikë ndaj situatës së drejtësisë, si një drejtësi me regji? Pra gjithmonë dilet tek biznesmenët, hidhet në treg, kanë shkuar atje, kanë kontrolluar shtëpinë këtu, ndërkohë që kur bëhet fjalë për politikanët ka heshtje totale.
Gjin Gjoni: Është e vërtetë. Ka dy standarde, ju me të drejtë e keni vërejtur, por edhe në të gjithë këtë diskutim që kam pasur edhe me rrethin tonë të njerëzve me të cilët bisedojmë, por edhe me rrethin e gazetarëve të cilët normalisht kanë një informacion edhe ata për shkak të mënyrës se si i marrin informacionet dhe për shkak të investigimit, rezulton që janë hedhur për konsum publik një rreth i caktuar njerëzish të cilët nuk janë edhe aq të afërt me zotin Rama dhe njerëzit të cilët janë të afërt dhe lidhje direkt dhe që menaxhojnë bizneset e zotit Rama nuk përmenden. Megjithëse janë të përfshirë totalisht në këtë ngjarje dhe raste korruptive dhe të transformimit ose të ndryshimit tërësisht të pronave në pjesën e jugut, dhe sidomos duke filluar që nga pjesa e Velipojës e deri në pjesën e Butrintit në kufi me Greqinë, pothuajse janë futur duart në mënyrën më të tmerrshme të mundshme.
© SYRI.net