Radoniqi: Të dielën qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm dhe me përgjegjësi

Radoniqi: Të dielën qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm dhe me përgjegjësi

14:28, 11/10/2025

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor, në të gjithë territorin e Kosovës.

Në emër të KQZ-së, Radoniqi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai po ashtu ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, theksoi ai.

Kreu i KQZ-së tha tutje se institucioni që udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.

Në mbledhjen e mbajtur të shtunën, KQZ-ja ka njoftuar se numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ekipeve mobile është 3,467, prej të cilëve 1,508 janë votues të ngujuar në shtëpi e 1,956 janë votues në institucione (klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit, qendra korrektuese, etj.), ndërsa tre janë votues në arrest shtëpiak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco