Kurti: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira për Kosovën

Kurti: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira për Kosovën

16:32, 25/05/2024

Në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në, organizoi sot një ceremoni përmbyllëse të këtij procesi me rëndësi të madhe shtetërore dhe shoqërore. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti është shprehur i lumtur për përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë.

Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit, për të cilët tha se kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e ardhshëm.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

Kurti ka falendëruar për mbështetje dhe kontribut të çmuar kanë dhënë edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco