Szunyog: BE-ja e gatshme që t’i heqë masat bazuar në hapat që ndërmerr Qeveria e Kosovës

Szunyog: BE-ja e gatshme që t’i heqë masat bazuar në hapat që ndërmerr Qeveria e Kosovës

15:59, 22/05/2024

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Bashkimi Evropian është i gatshme që t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por kjo, sipas tij, bazohet në hapat që do t’i ndërmarr Qeveria e Kosovës për plotësimin e kushteve.

“Masat janë të formuluara në deklaratën e 3 qershorit të vitit të kaluar dhe ka konkluza të këshillit në dhjetor të vitit të kaluar të cilat paraqesin kushtet për këtë. Por, BE-ja është e gatshme që të heq masat, bazuar në rezultatet e hapave të ndërmarra nga pala kosovare”, tha ai.

Ambasadori Szunyog shtoi se pret nga Qeveria themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si obligim ligjor.

“Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe natyrisht e presim këtë”, u shpreh Szunyog për Rtv 21.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë së martës ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë. Kjo pikërisht në një takim që Osmani  kishte me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe me disa ambasadorë tjerë të shteteve evropiane.

E para e vendit ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë plotësisht në linjë me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme dhe se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen globale. Tutje, presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet”, u tha në komunikatë pas takimit.

Krerët e shtetit kanë kërkuar në vazhdimësi muajin e fundit heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Kosova kërkoi zëshëm heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Nga BE-ja kishin deklaruar se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco