Telekomi kërkon përjashtimin e gjyqtarit dhe ekspertëve financiarë në rastin me “Dardafon.net”

Telekomi kërkon përjashtimin e gjyqtarit dhe ekspertëve financiarë në rastin me “Dardafon.net”

12:52, 15/05/2024

Telekomi ka kërkuar përjashtimin e ekspertëve financiarë dhe të gjitha konstatimet e nxjerra nga ta të konsiderohen të pavlefshme. 

Të mërkurën në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale po mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor të lëndës përmbarimore mes Telekomit dhe “Dardafon.net”. 

“E kemi pranuar ekspertizën dhe ndaj të njëjtës kemi vërejtje të shumta lidhur me përfundimet e nxjerra. Konsiderojmë që këto vërejtje tona ndaj kësaj plotësim ekspertize janë fundamentale…përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi që vlen edhe për ekspertët financiarë, kërkojmë përjashtimin përkatësisht nga pika f dhe g  të ekspertëve financiarë si dhe paralelisht nga gjykata të gjitha përfundimet e nxjerra nga këta ekspertë të konsiderohen si të pavlefshme. Provat e reja me të cilat është vënë në dijeni tani debitori janë si në vijim. Cenojnë rëndë paanshmërinë e ekspertëve në këtë procedurë: eksperti financiar Blerim Pushkolli është palë në një kontest në Telekomin e Kosovës kjo sipas lëndës së evidentuar me numër CNR 544/08 të GJKTHP i njëjti gjithashtu është zëvendësdrejtor në një shoqatë, OJQ, në të cilën mban pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv. Ndërlidhja këtu qëndron direkte me biznesin e kreditorit, pasi që në të njëjtën shoqatë mban pozitën e anëtares së bordit zonja Shpresa Mustafa e cila nga uebfaqja e të njëjtës shoqatë të deklaruar që punon në një kompani të grupit ‘Devolli Corporation’, si pjesë e menaxhmentit të Birra Peja, pjesë e të njëjtit grup të kompanive është edhe kreditori”, ka thënë zyrtari ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj.  

Ndaj kësaj reagoi avokati i “Dardafon.net”, Alban Makolli. 

E gjyqtari Dren Rogova tha se “gjykata nuk ia fal besimin pretendimit të debitorit (Telekomit) për konfliktin e interesit të Pushkollit me kreditorin (Dardafon.net)”. 

“Kjo për faktin se procedura e tillë është rezultat i marrëdhënies së punës sa zoti Pushkolli ka qenë punëtor në PTK. Rrethanë kjo eksperti Pushkolli ia ka bërë të njohura gjykatës së bashku me ekspertin Lekë Musaj. Pretendimet tjera për ndërlidhjen dhe afërsinë e ekspertëve me zonjën Shpresa Mustafa e as transaksionet e kreditoritm gjykata nuk i vlerëson si rrethana që bien ndesh me nenin 67 të LPK-së, ndërlidhur me nenin 360, prandaj me këtë aktvendim refuzohet propozomi i debitorit për përjashtimit të grupit të ekspertëve”, tha Rogova. 

E përfaqësuesi i Telekomit, Ahmetaj, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi më pas. 

“Gjykatës me shkrim ia dorëzojmë kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi”, tha Ahmetaj. 

Përfaqësuesit e Telekomit më pas braktisën sallën. 

“Shqyrtimi në këtë çështje ndërpritet derisa për përjashtimin të vendoset nga kryetari i kësaj gjykate sipas kërkesës së debitorit”, tha gjyqtari Rogova. 

Përfaqësues të Telekomit dhe ata të kompanisë “Dardafon.net” po përballen në Gjykatën Komerciale, pasi shkalla e parë konstatoi se ndërmarrja publike e telefonisë ia ka edhe një borxh prej 5.7 milionë eurosh kompanisë në pronësi të Blerim Devollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco