Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, do t’i drejtohemi Kushtetueses për Asociacionin

Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, do t’i drejtohemi Kushtetueses për Asociacionin

20:36, 23/04/2024

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga New Yorku, ku Presidentja Osmani u përballë dje me Presidentin e Serbisë në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

“Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, thotë Osmani, marrëveshja nuk ka vetëm nenin e Asociacionit; ka edhe nenet e tjera, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga Serbia që të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, që mos të përdorë dhunën si mjet, apo forcën si mjet për raporte ndërshtetërore dhe kërkon në Nenin 4 që të mos krijojë pengesa, apo mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 
“Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Natyrisht ne e dimë që ky është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, por janë disa parime të cilat i kemi parasysh dhe i kemi si vija të kuqe në zbatimin e Asociacionit. Ndër to është Kushtetuta e Kosovës, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, është fakti që nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç është shkruar edhe në letrën e [ish Përfaqësueses për Politikë të Jashtme dhe Siguri] Mogherinit në atë kohë dhe po ashtu të jetë në përputhje me qëndrimin amerikan të publikuar në ‘op-edin’ Cholet/Escobar”, tha ajo.
 
“Pra Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu”, tha Osmani.
 
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Zërin e Amerikës 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco