Haxhiu për vrasjet e grave: Për të fituar këtë betejë, na duhet punë serioze

Haxhiu për vrasjet e grave: Për të fituar këtë betejë, na duhet punë serioze

12:50, 18/04/2024

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha institucionet e Kosovës për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ministrja Haxhiu, në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se databazën që e posedon dikasteri i saj, çdo muaj raportohen mbi 200 raste të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Angazhim ka kërkuar edhe nga niveli lokal.

“Për të fituar këtë betejë e që të ketë drejtësi për secilin rast, na duhet punë serioze e vullnet nga të gjitha institucionet. Ne duhet të angazhohemi në parandalim të dhunës, por ku ajo të ndodhë, duhet përgjigje e duhur institucionale e jo përgjigje e prirur nga mentaliteti patriarkal. Nëse të gjitha institucionet s’janë të vendosura për t’i luftuar këto fenomene, atëherë përgjigjen e dimë, rrezikojmë të numërojmë viktimat”, tha Haxhiu.

“Ditët që lamë pas të gjithë përjetuam pikëllim, që solli dy ngjarjet e rënda në Kosovë. Kosova që prej çlirimit të saj ka 99 gra të vrara, nga këto 64 gra janë të vrara. Bazuar në databazën e MD-së, kemi mbi 200 raste që raportohen çdo muaj për dhunë ndaj grave dhe në familje. Kërkohet angazhimi më i madh i institucioneve. Këtu përfshihet edhe domosdoshmëri e nivelit komunal”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka pasur kritika edhe për sistemin gjyqësor, duke thënë se kryesit e këtyre veprave kanë qenë recidivistë. E për ta fituar, siç ka thënë këtë betejë, Haxhiu ka përmendur nismën për rishikimin e Kodit Penal dhe atij Civil.

“Personat e dyshuar po del që janë recidivistë. Përkundër që kemi marrë shumë masa, po duket që duhet të vazhdojmë ende me punë e angazhim. Për të fituar këtë betejë, na duhet punë serioze. Kur dhuna ndodh, duhet përgjigje e duhur institucionale. Do të bëjmë edhe një herë rishikimin Kodit Penal dhe Procedurës Penale. Jemi duke punuar në rishikimin e dispozitave për armët. Politikat e ulëta ndëshkimore, moszbatimi i ndryshimeve të reja në Kodin Penal”, ka thënë ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco