Kurti: Ndalimi i kosovarëve në Serbi u paralajmërua nga Vuçiçi

Kurti: Ndalimi i kosovarëve në Serbi u paralajmërua nga Vuçiçi

11:14, 18/04/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron si hakmarrje të Serbisë ndalimin e udhëtarëve të mërkurën në pikëkalimet kufitare në Serbi. Kjo sipas Kurtit ishte paralajmëruar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, raporton “Ekonomia Online”.  

Sipas Kurtit, Serbia është hakmarrë kësisoj një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Kurti thotë se qindra persona janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi.

“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë, ku ai tha që në javën që vjen Serbia kudo që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të fillojë që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarake ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre, një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mesin e qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës”, tha Kurti. 

Kurti thotë se Vuçiç ka paralajmëruar këtë përndjekje, duke filluar nga shqiptarët e Kosovës dhe atyre të Luginës e deri te serbët në Kosovë që janë integruar në institucionet e Kosovës. 

“Duket që arrestimi masiv i cili është bërë dje, me ç’rast qindra qytetarë civilë janë lënë pa medikamente, pa ushqim, pa ujë për pothuajse një ditë të plotë, është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në Këshill të Evropës dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim në masë”, tha Kurti.

Ai foli pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Velani për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës. 

Kurti thotë se veprimet e serbëve në Kosovë po bëhen me urdhër të Beogradit. Serbinë e konsideron fajtor edhe për situatën në veri dhe përpjekjet për ta dështuar procesin e referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës.

“Që nuk mund të them që ka përfunduar dhe që duhet ta kuptoni që po ndodh në të njëjtën kohë kur në Serbi po kryhet siç besojnë ata ushtrimi më i madh ushtarak në këtë shekull dhe i cili do të vijojë edhe në ditët më vazhdim deri në fund të javës, pra deri të dielën. Që të gjitha këto janë të sinkronizuara edhe me bojkotin që po i bëhet votimeve në katër komunat veriore të paraparë të dielën, e që do të ishte një shans për qytetarët atje që ta shprehin vullnetin e tyre po për shkak të Beogradit, të kërcënimeve, shantazheve, djegieve te veturave që bëhen atje, duket që nuk do të këtë pjesëmarrje të kënaqshme, ndonëse ne bëjmë gjithë përpjekjet e mundshme dhe e ndihmojmë KQZ-në që këto votime të jenë sa më të suksesshme të dielën e 21 prillit”, thotë Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco