Dështon formimi i Komisionit hetimor për kontratat njëburimore

Dështon formimi i Komisionit hetimor për kontratat njëburimore

20:27, 28/03/2024

Ka dështuar themelimi i Komisionit Hetimor Paralamnetar për kontratat njëburimore në mungesë të kuorumit.

26 deputetë votuan për një kundër dhe një abstenim, ndërsa deputetët e pushtetit nuk morën pjesë në votim.

Gjatë debatit për këtë komision, Opozita nuk kurseu akuzat për partinë në pushtet.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se këto kontrata duhet t’i dorëzohen Prokurorisë, të cilat siç tha ai, kapin vlerën e 200 milionë eurove.

“Shuma totale e këtyre kontratave shkon rreth 200 milionë. Ajo çfarë është e rëndësishme që ne si deputet duhet ta nxjerrim dhe të vijmë në një përfundim. Me një raport përfundimtar duhet ta kanalizojmë këtë çështje drejtë prokurorisë, dhe ta shohim sa janë të arsyeshme këto kontrata”, ka thënë Tahiri.

E me këto deklarata nuk u pajtua Adnan Rrustemi i LVV-së, për çka pati edhe kundërpërgjigje ndaj tij.

“Nëse e krahasojmë ndër vite, qoftë në nivel sasior poashtu edhe financiar, 2008-ta, është viti me më së shumti kontrata një burimore, me gjithsej 164 milionë euro, apo me 98% e totalit të kontratave të nënshkruara”, u shpreh Rrustemi.

Ndërsa, Besian Mustafa nga LDK akuzoi paritë në pushtet për korrupsion.

“ U mundove me thënë që Vetëvendosje janë të pakorruptueshëm, kryeshefi që e keni emëruar ju, edhe zyrtari i LVV-së që e keni pas koordinator të energjisë, në parti, e keni dërguar kryeshef në KEK dhe është arrestua për korrupsion për tendera njëburimor” , tha ai.

Besnik Tahiri nga AAK kërkoi që Kuevendi të hetojë këto kontrata.

“Themelimi i komisionit hetimor parlamentar për të parë procedurat e prokurimit, pra procedurave një burimore të tenderëve një burimor, është më e pakta që ky Kuvend mundet me bë”, u shpreh Tahiri.

E sipas ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, në dikasterin që ai udhëheq, është vetëm një kontratë njëburimore.

“ Kemi të bëjmë me aneks kontrata, dhe nga të gjitha këto kontrata që i përmendët në rastin e ministrisë, që po përfaqësoj unë, e kemi vetëm një kontratë, është kompania mbikëqyrëse, kompania Inxhinieri ndërkombëtar te pista e aeroportit” , u shpreh Aliu.

Por sipas të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Qeveria Kurti është në përgatitje të një tenderi sekret.

“Në çdo dite pune, e hënë e premten në aparatin shtetëror të pushtetit ipet një tender sekret, edhe sot teksa flasim këtë të enjte, dikush në shtetin e vetëvendosjes, është duke nënshkruar, jo përgatit, një tender sekret” , tha Abdixhiku.

Gjatë kësaj seance, u përmendën edhe zgjedhjet e parakohshme.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, tha se deri sa të binden se opozita me të vërtetë kërkojnë zgjedhje të parakohshme, nuk i propozojnë emrat për Komison hetimor.

“Për kërkesat e vazhdueshme dhe përgjigjet që po na u kërkohen për datën e zgjedhjeve, prandaj deri sa ta marrim vendimin, dhe derisa këta me të vërtetë kërkojnë zgjedhje, ne nuk i kemi këta pesë emra”, u shpreh Kusari –Lila.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco