Themelimi i komisionit hetimor për kontratat njëburimore, PDK dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

Themelimi i komisionit hetimor për kontratat njëburimore, PDK dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

11:27, 25/03/2024

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka bërë të ditur se ka dorëzuar sot kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

“Sot dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit për të enjten e kësaj jave. Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tahiri ka thënë se pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore, që janë burim i korrupsionit.

“Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco