Çerdhe para hyrjes së gjimnazit në Prishtinë, Komuna ndërpret punimet

Çerdhe para hyrjes së gjimnazit në Prishtinë, Komuna ndërpret punimet

22:15, 23/03/2024

Të shtunën nuk e ka ditë të rregullt pune, por e pati të pamundur të mos vinte.

E kjo pasi ishte njoftuar se dyert e oborrit të shkollës nuk do t’i gjente ashtu siç i la të premten.

Të njëjtat, kishin filluar të bllokoheshin me rrethoja.

Punimet për të cilat kishin nisur përgatitjen, po bëheshin për ndërtimin e një çerdheje, gurthemeli i së cilës ishte dy vjet më parë në një pjesë të oborrit të shkollës.

Drejtori i gjimanzit, Shemsedin Beqiri thotë se ishte në dijeni se punimet do të nisnin dikur, por jo për detajet.

“Me shqetësim ma përcollën lajmin se kanë hyrë pa pyetur fare,

këtu në oborr për të bërë rrethojën. Kam ardhur menjëherë dhe kam pa se punimet që po zhvillohen nga kompania fituese për ndërtimin e çerdhes që ka leje para dy vjetësh. Shoh se stafi dhe nxënësit e kemi të pamundur qasjen në shkollë, nuk e di çka po ndodhë. Dy dyert që i kemi pasur janë të bllokuara”, tha Shemsedin Beqiri, drejtori i gjimnazit “Eqrem Çabej”.

Ndonëse nuk ka dashur të deklarohet para kamerave, pronari i kompanisë ndërtuese ka deklaruar se posedojnë leje nga Ministria e Arsimit dhe se punimet, janë vonuar.

Mirëpo, punimet janë ndërprerë me kërkesë të komunës, e cila thotë se ministra nuk e ka planifikuar mirë lokacionin.

“Pozicioni i çerdhes është ende diskutabil, jemi në negociata me ministrinë me e bo një planifikim të ri që nuk i mbyll hymjet e shkollës. Ministria vet e ka bo atë planifikim, që nuk është adekuat. Nuk jemi në dijeni, sot e kam diskutu me ministrinë. I kanë ndal punimet, deri sot s’ka pas as punime. Kanë qenë në planifikim dhe nuk e kam ditë që do fillojnë sot”, tha Jehona Lushaku, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë.

Punëtorët e kompanisë së ndërtimit kanë larguar disa nga rrethojat dhe më pas kanë ndërprerë punën.

Gjatë qëndrimit të televizionit, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes duke biseduar me të dyja palët.

Lidhur me çështjen, televizioni ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit, por nga e njëjta nuk ka pranuar përgjigje gjatë ditës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco