Kurti përmbledh arritjet në qeverisjen trevjeçare: Jemi krenar dhe ballëhapur

Kurti përmbledh arritjet në qeverisjen trevjeçare: Jemi krenar dhe ballëhapur

17:25, 23/03/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmbledhur punën që e kanë bërë në qeverisjen trevjeçare dhe është shprehur se janë krenarë dhe ballëhapur.

Kurti ka thënë se punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë dhe sipas tij, ka dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur erdhën në pushtet.

“Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar”, ka thënë kryeministri.

Kurti ka treguar se në tri vjet qeverisje kanë rishpërndarë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja.

“Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara. Ndërkohë që borxhin publik e kemi në nivelin më të ulët në Evropë”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Më tej, ai ka treguar se në vitin 2020 faturat e papaguara nga qeveritë e kaluara për mallra dhe shërbime që kanë marrë nga bizneset kanë qenë në vlerë prej 140 milionë euro, dhe se në fund të vitit të kaluar ky borxh është ulur në 33 milionë.

Sipas tij, qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 ishte për 58% më i lartë se ai në vitin 2019, vit parapandemik.

“Bruto Produkti Vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte kur morëm qeverisjen nën drejtim – pra 3 miliardë euro më shumë për tri vjet qeverisje, me deficit minimal. Qeverive në të kaluarën u duhej tri vjet kohë për t’ia shtuar 1 miliard euro ekonomisë, dhe atë përmes borxheve dhe shfrytëzimit të fondeve të mbledhura nga privatizimi”, ka theksuar ai.

Kurti ka potencuar se tre vjet pas, entuziazmi i qytetarëve për qeverinë e tyre është vullneti i tyre për të shërbyer.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco