Kusari-Lila kërkon nga partitë opozitare të reflektojnë për rezultatet e tyre zgjedhore para se të kërkojnë zgjedhje

Kusari-Lila kërkon nga partitë opozitare të reflektojnë për rezultatet e tyre zgjedhore para se të kërkojnë zgjedhje

14:47, 23/03/2024

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila në lidhje me kërkesën e opozitës për zgjedhje ka thënë se e njëjta duhet të reflektojë mbi rezultatin e vet zgjedhor para se të kërkojë zgjedhje të reja.

Kusari-Lila konsideron se nuk ka nevojë për përmbyllje të mandatit të Qeverisë apo rrëzim të saj.

“Megjithatë nuk e konsiderojmë që ka hapësirë ose nevojë për dorëheqje apo përmbyllje të mandatit të Qeverisë. Kemi opozitën që prej fillimit ka kërkuar zgjedhje të reja, në mungesë të çfarëdo alternative për reflektim të vetin të brendshëm në raport me rezultatin zgjedhor për të cilin ata duhet të bëjnë pyetje përbrenda dhe jo në Kuvend, apo të kërkojnë shkuarjen në zgjedhje”,  ka thënë Kusari-Lila.

Ajo e ka cilësuar si joserioze qëndrimin e ndryshëm të partive opozitare rreth kërkesës për zgjeedhje.

“Janë dy mënyra forma për të shkuar në zgjedhje, njëra me mocion mosbesimi që ata që e dorëzojnë duhet t’i kenë votat. Forma tjetër është shpërbërja e Kuvendit, proces që vjen nga një dialog i brendshëm që nuk po e ndjejmë në aspektin e seriozitetit nga opozita. Sepse nëse vërtetë e kanë seriozisht shkuarjen në zgjedhje do duhet të kishin konsistencë mes deklarimeve të tyre. Janë tri grupe parlamentare me tri deklarime të ndryshme për zgjedhjet. Një nismë të GP të AAK për mocion mosbesimi, një kërkesë të PDK-së për kryeministrin që të sjell nënshkrime për shpërndarje të Kuvendit dhe një refuzim nga rruga e re me metoda të vjetra të LDK-së që ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit po nuk do t’i japin nënshkrimet për këtë çështje. Le që nuk kanë vota por as konsensus, duket se bëhet vetëm për konsum publik”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ndryshe, dje Kurti, ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse opozita është e gatshme të ulet e të bisedojë për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se “nuk ka pse të rrëzohet qeveria”.

“Nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje, nëse opozita do të kemi më pak muaj qeverisje, jemi të gatshëm të bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrëzojmë qeverinë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco