Ftesa e Kryeministrit për zgjedhje, opozita: Presidentja të deklarohet, Kurti ka dështuar dhe është dorëzuar

Ftesa e Kryeministrit për zgjedhje, opozita: Presidentja të deklarohet, Kurti ka dështuar dhe është dorëzuar

09:27, 23/03/2024

Kryeministri Albin Kurti ka folur dje rreth mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Ai në një konferencë për media, tha se kanë mbetur edhe 12 muajt e fundit të qeverisjes së tij dhe tha se nuk mund të parashikojnë se çfarë dimri mund të jetë në shkurtin e vitit të ardhshëm.

Ai tha se nëse duan që vendi të shkojë në zgjedhje datën duhet ta caktojnë bashkë me opozitën sepse dorëheqje nuk jep.

“Ne dëshirojmë të vazhdojmë qeverisjen. Ne kuptojmë që janë 12 muajt e fundit, pas 12 muajve, mund të jetë situata e një dimri që nuk e dimë çfarë është për zgjedhjet e radhës. Shkurti 2021, moti s’ka qenë edhe i keq, por s’ka qenë as i mirë. Nëse duam që zgjedhjet ti mbajmë jo në dimër, përshembull, normalisht që ne jemi njerëz të arsyeshëm, mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje s’mund të japë”, ka thënë Kurti.

Ftesën e kryeministrit për zgjedhje të reja e kanë komentuar partitë opozitare duke e quajtur si dorëzim të tij, ndërsa i kanë bërë thirrje presidentes të deklarohet për këtë çështje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që t’i thërrasë partitë politike që të krijohet konsensusi për shpërndarjen e Kuvendit, pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se do t’i bashkohet opozitës për ta rrezuar Qeverinë që t’i hape rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin.
Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensuesi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të Kryeministrit.

Kosova sot përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi. Përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në emisionin DPT Te Fidani, këtë ftesë të Kurtit e ka cilësuar si taktikë të manipulimit në përpjekje për ta hutuar qytetarin se çfarë po ndodhë në vitin 2024.

“Nëse kryeministri Albin Kurti në tre vjetorin e qeverisjes thotë se mund të shkojmë në zgjedhje, tregon se ka dështuar, tregon se është dorëzuar dhe tregon se në kurthin në të cilin ka rënë vetë gjatë tre viteve të qeverisjes së tij edhe në raport me situatën në veri të vendit, edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe në mungesë totale të ndonjë rezultati konkret, realisht ai është dorëzuar dhe mënyra më e mirë që t’i jap drejtim vendit është që të dorëhiqet”, ka thënë deputeti Hoxhaj.

Kurse deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se çdo ditë që kalohet pa zgjedhje të reja është humbje e resurseve shtetërore.

“Tri vite dështime, mashtrime e konfrontime me gjithë botën demokratike, me mediat, me sindikatat, me opozitën, me bizneset, me Shqipërinë. Në fund u dorëzuan. Çdo ditë që kalohet pa zgjedhje të reja është humbje e resurseve shtetërore dhe e kohës së çmueshme për të kthyer normalitetin në institucione, për të filluar zbatimin e politikave që sigurojnë zhvillim dhe integrime euro-atlantike, për të riparuar partneritetin e cenuar me miqtë, për të gjetur pajtimin e bashkëpunimin vëllazëror me Shqipërinë e me shqiptarët në rajon.”, ka shkruar Hoti. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco