'Dorëzohet' qeveria, ua zhbllokon paratë komunave

'Dorëzohet' qeveria, ua zhbllokon paratë komunave

14:42, 24/05/2023

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe plotësim-ndryshimin e agjendës legjislative, ku janë përfshirë edhe tri projektligje të sponzorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ndër projektligjet e propozuara është edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. Me këtë projektligj, ekzutivi pritet t’i hap rrugë zhbllokimit të mjeteve vetanake për komunat.

E pro plotësimit të agjendës legjislative u shprehën i gjithë kabineti qeveritar.

“Ju ftoj që të plotësojmë dhe ndryshojmë agjendën tonë legjislative me shtimin e tri projektligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve: I pari është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar. E dyta është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe e treta është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti me propozim për amendamentimin e ligjit për ndarjet buxhetore”, tha ai.

Në këtë mbledhje të qeverisë, janë ndarë 25.8 milionë euro në mbështetje për sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për Mbështetjen e Sigurisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 7.8 milionë euro do t’i shkojnë Ministrisë së Brendshme dhe 18 milionë të tjera Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri i Financave, Hekuran Murati propozoi ndarjen edhe mbi 32 mijë euro për të vazhduar mbështetjen e likuiditetit familjar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Sipas tij pagesat janë në kuadër të vazhdimit ose të atyre që do të paguhen nga ankimimet.

“Kemi të bëjmë me dy masa të cilat janë në vazhdimësi bëhet fjalë për pagesat të cilat ose janë në kuadër të vazhdimësi të masave apo që kanë rezultuar si rezultat i proceseve ankimore të miratuara. Pra, bëhet fjalë për masën 3/6 dhe 4.5 në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe kjo shumë është 32 mijë e 300 euro e cila ndahet në kategoritë përkatëse’, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 17 mijë e 350 euro për të financuar vizitën e një grupi prej 10 vetash nga Lugina e Preshevës në Parlamentin Evropian.

Zëvendëskryeministri I Kosovës, Besnik Bislmi e arsyetoi këtë duke thënë se kjo është mundësi e mirë për të shpërfaqur diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Marrë parasysh gjendjen dhe sfidat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe nevojën për ndërkombëtarizimin e çështjes e komunitetit shqiptar atje dhe adresimin e problemeve që përballen shqiptarët atje është e domosdoshme që të ndërmarrim hapa që çështjen e Luginës së Preshevës ta ngrisim edhe në instancat më larta të faktorëve relevantë evropianë. Së fundi, kemi pranuar një kërkesë për të përkrahur një vizitë të faktorit politik shqiptar nga Lugina në Parlamentin Evropian…Kërkesa për financim, për kostot e përgatitjes organizimit, udhëtimit dhe akomodimit për një grup prej 10 personash është në shumën 17 mijë 350”, theksoi ai.

Në këtë mbledhje të Qeverisë është vendos edhe për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme në Pejë, për zgjerimin e kompleksit sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” si dhe projektin e ndërtimi i Ndërtesës Administrative”‘ për nevoja te Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco