Krimet Ekonomike arrestojnë edhe një person për keqpërdorim detyre dhe dhënie ryshfeti

Krimet Ekonomike arrestojnë edhe një person për keqpërdorim detyre dhe dhënie ryshfeti

14:35, 24/05/2023

Krimet Ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë arrestuar një person në Gjilan për keqpërdorim detyre dhe dhënie ryshfeti.

Sipas njoftimit, i dyshuari me iniciale (A.R.) shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriut, dyshohet se është regjistruar si shtetas i Republikës se Kosovës në Komunën e Vitisë në mënyrë të kundërligjshme.

“I dyshuari i lartcekur (A.R.) është regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile, nga zyrtari i gjendjes civile (M.D.) në Komunën e Vitisë dhe është pajisur nga sistemi elektronik i gjendjes civile me dokumente personale (certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim). Gjatë hetimeve i dyshuari (A.R.) është kuptuar se me rastin e regjistrimit si shtetas i Republikës së Kosovës kishte paguar shumen prej 10.000,00 (Dhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftim të policisë.

Të dyshuarit e lartcekur me iniciale(A.R.) dhe (M.D.), ishin arrestuar me datën 27.04.2023.

“Gjatë hetimeve të mëtutjeshme është kuptuar se personat e arrestuar, (A.R.) dhe (M.D.) nuk njihen mes veti dhe për kryerjen e kësaj vepre kanë pasur një person tjetër si ndërmjetësues, i cili është identifikuar si i dyshuari i tretë dhe për të cilin hetuesit janë vënë në kërkim dhe identifikim të tij”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, hetimet rreth njëmujore të hetuesve policor rezultuan me identifikim të dyshuarit të tretë me iniciale (Z.H.), i cili dyshohet se ka bërë ndërmjetësimin, duke pranuar shumën prej 10.000,00 euro nga i dyshuari (A.R.) duke ia dhënë të dyshuarit (M.D.), dhe kështu tre (3) të dyshuarit në bashkëpunim dyshohet se kanë kryer veprat penale “Dhënie të Ryshfetit”, “Marrje të Ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritet zyrtarë”.

“Sot me datën 24.05.2023 i dyshuari (Z.H.), ka qenë i arritshëm për hetuesit, i cili është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencë të avokatit mbrojtës, sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit te intervistës me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit, dërgohet në ndalim për 48 orë”, thuhet në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco