Suplimentet, të panevojshme, madje edhe të dëmshme!

Suplimentet, të panevojshme, madje edhe të dëmshme!

15:24, 24/05/2023 Nga A.Z

Plakja e popullsisë dhe rritja e interesit për parandalimin e rreziqeve ndaj shëndetit, kanë nxitur shitjet e vitaminave, mineraleve dhe shtesave ushqimore edhe në barnatoret në Kosovë.

Në fakt në të gjithë botën, gjithnjë e më shumë njerëzit po kërkojnë mjete ‘afër natyrales’ për t'i kuruar problematikat dhe për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë të shëndetshëm në vitet e tyre të ‘muzgut’.

Por, kjo në vendin është kthyer në biznes nga barnatoret duke shitur kështu vitamina të ndryshme që nuk kryejnë asnjë funksion. Pra, qytetarët po paguajnë shumë për suplimentet që nuk kanë nevojë fare e madje nganjëherë edhe mund të jenë të dëmshme për shëndetin.

Kështu ka pohuar edhe eksperti i shëndetësisë, Driton Vela në një përgjigje për Syri.net Kosova.

‘Shitja e vitaminave pa u bazuar në dëshmitë shkencore dhe udhërrëfyesit e fundit mund të jetë e dëmshme në disa raste për pacientët, ndërsa gjithashtu duhet të kemi parasysh që këto suplemente dinë të kenë kosto të lartë gjë që mjeku dhe farmacisti duhet ta ketë parasysh. Pse të ordinojmë suplemente me vitamina kur në shumicën e rasteve nuk sjellin përfitime për shëndet, janë të kushtueshme dhe potencialisht mund ti bëjnë dëm pacientit’, tha ai.

Madje, Vela thotë që vitaminat i marrim përmes ushqimit, prandaj problemet me mungesën e vitaminave tashme janë të rralla.

‘Vitaminat janë kompozime organike të cilat janë të nevojshme për realizimin e shumë proceseve fiziologjike në trupin tonë. Ato kryesisht i marrim përmes ushqimit, prandaj problemet me mungesën e vitaminave tashme janë të rralla, përveç në vende të caktuara në botë ku një pjesë e popullatës vuan nga keq ushqyerja.

Ka mori studimesh të cilat i ka hulumtuar pretendimet që vitaminat mund të ndihmojnë në trajtimin e gjendjeve të ndryshme. Fatkeqësisht, dëshmitë shkencore tregojnë që suplementet me vitamina nuk bëjnë çudira. Studimi i madh i realizuar në SHBA i cili ka hulumtuat 84 vitamina dhe minerale me 2021 ka treguar që pothuajse nuk ka kurrfarë përfitimi nga marrja e këtyre suplementeve për të luftuar kancerin apo sëmundjet e zemrës. Ngjashëm, studimet kanë treguar që nuk ka dëshmi bindëse që vitaminat e ndryshme mund të jenë efektive kundër COVID-19, për këtë arsye ato nuk rekomandohen nga udhërrëfyesit amerikan ose evropian për trajtimin e COVID-19’, ka sqaruar eksperti.

Sipas Veles, studimet tjera serioze kanë treguar që nuk ka benefit nga përdorimi i suplementeve me vitamina për të rritur jetëgjatësinë, dhe ato po ashtu nuk ndihmojnë në ngadalësimin e çrregullimeve kognitive të moshës (harresa e ngjashëm). Përjashtim nga kjo është acidi folik te nënat shtatzëna i cili shkencërisht është i dokumentuar që parandalon defekte serioze tek fëmija.

Edhe farmacistja Laureta Berisha Kasumi në një prononcim për Syri.net Kosova ndan të njëjtin mendim me ekspertin e shëndetësisë që vitaminat shumicën e rasteve janë edhe të dëmshme.

Berisha Kasumi tregon edhe për rreziqet nëse merren pa rekomandim të mjekut.

‘Vitaminat janë të dobishme për shëndetin nëse merren në dozat e duhura dhe në kohën e duhur. Nëse nuk keni një mungesë të vitaminave dhe mineraleve në organizëm, atëherë marrja e shtesave të vitaminave mund të jetë e panevojshme ose edhe e dëmshme.

Nëse merren pa rekomandim të mjekut, ka rrezik që të merren doza të tepërta të vitaminave, të cilat mund të shkaktojnë probleme shëndetësore. Për shembull, marrja e dozave të tepërta të vitaminës A mund të shkaktojë dëmtim të mushkërive dhe të mëlçisë, ndërsa marrja e dozave të tepërta të vitaminës C mund të shkaktojë diarre dhe dhimbje koke’, tha ajo.

Farmacistja përmend disa prej parimeve themelore që duhet ti përmbushë një vitaminë për të qenë e sigurt.

‘Ka disa parime themelore që duhet t'i përmbush një vitaminë për të qenë e sigurt dhe për shitjen pa recetë mjeku. Disa nga këto parime janë:

• Siguria: Vitamina duhet të jetë e sigurt dhe të mos shkaktojë dëme të mëdha për shëndetin e përdoruesit.

• Efektiviteti: Vitamina duhet të ketë efektivitet dhe të jepë përfitime reale për shëndetin e përdoruesit.

• Stabiliteti: Vitamina duhet të jetë e qëndrueshme dhe të mos humbasë cilësinë dhe vlerat e saj pasi të jetë prodhuar.

• Etiketimi: Etiketa e produktit duhet të jetë e qartë dhe të përmbajë informacion të plotë dhe të saktë rreth përbërësve të produktit, dozave dhe mënyrës së përdorimit.

• Kontrolli i cilësisë: Prodhuesi duhet të ketë një sistem të rregullt kontrolli cilësie që të sigurohet se produkti është i mirëfilltë dhe i sigurt për konsumatorët.

• Përgjegjësia sociale: Prodhuesi duhet të ketë një angazhim për t'i ndjekur parimet e përgjegjësisë sociale dhe mjedisore në prodhimin dhe paketimin e produktit’, u shpreh ajo.

Përderisa shteti nuk ka akoma ndonjë ligj që kontrollon vitaminat që merren pa recetë të mjekut, barnatoret po gjejnë hapësirë të mjaftueshme për të bërë biznes.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco