Riaktivizimi i letrës së Mogherinit, justifikim nga qeveria për themelimin e Asociacionit

Riaktivizimi i letrës së Mogherinit, justifikim nga qeveria për themelimin e Asociacionit

13:16, 24/05/2023 Nga A.Zh

Sikur moti që ka filluar me ngritjen e temperaturave, njësoj po ndodh edhe me presionin e madh që po bëhet ndaj Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit. Çdo ditë e më shumë Kryeministrit të Kosovës po i kërkohet që të nis zbatimin e njërës prej marrëveshjeve më të diskutuara me Serbinë, atë për Asociacionin.

E gjithë kjo 'hallakamë' e madhe po bëhet “nëse duhet të ketë kompetenca ekzekutive ose jo”. E për këtë, Prishtina zyrtare po tenton të përdorë kartën e ‘fundit’, letrën e ish-shefes së diplomacisë evropiane, Fecerica Mogherini, që i jepte garanci kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa, se Asociacioni nuk do të kishte kompetenca ekzekutive – shkruan Syri.net Kosova

Kjo letër u riaktivizua në takimin e 27 prillit në Bruksel nga pala kosovare.

Por, sa mund të jetë valide në aspektin e së drejtës ndërkombëtare një letër e shkruar nga ish shefja e BE-së?

Dritro Arifi në një bisedë me Syri.net Kosovën deklaron se në fakt kjo letër nuk mund të ketë vliditet juridik më të madh se Kushtetuta e Kosovës, si dhe mendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen e Brukselit.

Për profesor Arifin, kjo kartë që po e përdorë tani Qeveria Kurti është më shumë për t’iu hedhë ‘hi’ syve opinionit, me arsyetimin se kanë dhe një dokument shtesë në mbështetje të tyre për ta themeluar Asociacionin.

Për me tepër, Arifi po e konsideron se qeveria aktuale nuk po ka guxim të ballafaqohet me problemet që i ka të bartuara dhe ato që mund të dalin rrugës.

“Letra e Mogherinit ka të bëjë më shumë me atë se qeveria po tenton të justifikoj formimin e Asociacionit gjithmonë duke iu referuar kësaj letra. Pra në një mënyrë nuk po e shoh çështje serioze sepse në fund të ditës është Kushtetuta e Kosovës me e vlefshëm se një letër që mund ta ketë dërguar një komisionarë i BE-së. Po të kish qenë qeveria e Kosovës serioze nga fillimi e deri më sot, ndryshe  do të ishte qasja në pikën e referimit. Pikë referimi duhet të jetë Kushtetua e Kosovës, e, nëse kërkohet ndryshimi i Kushtetutës është një tematik tjetër por deri më sot më aq sa kemi dëgjuar publikisht, askush nga partnerët ndërkombëtar s’ka kërkuar të ndryshohet kushtetuta, por kanë ndryshuar qëndrimet e Qeverisë. Prandaj po besojë që kjo letër po përdorët si justifikim nga pala kosovare si alibi që ne po e formojmë  se ashtu na është thënë. Tregon që Qeveria nuk ka guxim  të përballet me problemet që kanë qenë, janë dhe do të jenë në të ardhëmn”, përmbyll analizën e tij Dritro Arifi dhënë Syri.net Kosovës .

Por, njësoj nuk po mendon profesori i universitar, Arsim Bajrami. Ai po vlerëson se ky dokument ka vlerë juridike po aq sa të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Bashkimi Evropian duhet te jetë korrekt me Kosovën sepse ka dhënë garancione që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Letra e Mogherinit bashkë me 33 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, janë te barasvlefshme dhe juridikisht ka obligim ligjor për tu zbatuar. Korrespodenca e Mogeerhinit me Isa Mustafën ka karakter detyrues dhe BE duhet të marrë obligimet që trashëgohen”, tha ai.

Ish-shefja e diplomacisë në letrën e saj tregonte se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës. Letra që Mogherini i kishte dërguar ish-kryeministrit Mustafa, më 24 gusht 2015, përmban zotimin e BE-së se Asociacioni nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive.

Syri Kosova ka tentuar të marr një qëndrim nga ekzekutivi, por që thirrjeve tona nuk i janë përgjigjur deri në përfundimin e këtij shkrimi.

Përgjigje nuk kemi marr as nga ish kryeministri Isa Mustafa, në lidhje me atë se: A do të duhet të shfrytëzohet kjo letër tani nga ana e Qeverisë Kurti?/Syri.net Kosova 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco