Edhe pas 5 vitesh nga mbajtja e seancës se fundit, dështon për të katërtën herë gjykimi për fajde

Edhe pas 5 vitesh nga mbajtja e seancës se fundit, dështon për të katërtën herë gjykimi për fajde

13:47, 17/05/2023

Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga mbajtja e seancës së fundit, këtë të mërkurë ka dështuar sërish gjykimi për fajde ndaj të akuzuarve Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu.

Lajmin për anulimin e kësaj seance e ka bërë të ditur gjykatësi Naser Foniqi.

Sipas tij, kjo seancë është anuluar me kërkesë të prokurores së rastit, Dulina Hamiti për shkak se sipas tij, e njëjta ka qenë e angazhuar me një seancë të tjetër me masë të paraburgimit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 qershor të këtij viti.

Ndryshe, për këtë rast edhe seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023 dhe 16 mars 2023  nuk ishin mbajtur.

“Betimi për Drejtësi”, më 26 nëntor 2022, kishte transmetuar emisionin me titull “Gjykatësi “fle” mbi lëndën e fajdesë”, ku ishte trajtuar fakti se kishin kaluar afro 5 vite që kur ishte mbajtur seanca e fundit për këtë rast dhe nuk ishte caktuar asnjë seancë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

I akuzuari Enver Avullahu akuzohet se nga shuma që i dëmtuari kishte marr borxh 19,200 euro, i pandehuri ka llogaritur borxhin në shumën prej 64,100 euro, të cilës shumë po ashtu i shtohen edhe vlerat e veturave “Opel Corsa”, në vlerë prej 3,300 euro (viti 2012), “Fiat Punto” në vlerë prej 2,100 euro (viti 2013), “Golf 5” në vlerë prej 10,000 euro (viti 2013) dhe një “Audi A6”, në vlerë prej 12,500 euro (viti 2014), ku përpos të gjitha këtyre, i pandehuri kërkon në emër të fajdesë edhe shumën prej 8,000 euro, i cili raport ka mbetur i hapur.

I pandehuri Rrahim Sallahu akuzohet se gjatë periudhës 2012 e deri në ditën e arrestimit, i dëmtuari kërkon dhe merr 7,000 euro borxh, i cili borxh pas tre muajve, në emër të fajdesë bëhet 10,000 euro, pastaj më vonë merr edhe shumën prej 4,000 euro, për t’ia kthyer 4,400, për çka si garancion lë veturën e tipit “Golf 5”, në vlerë prej 6,500 euro. Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2014, prapë i dëmtuari kërkon dhe merr borxh nga i pandehuri Sallahu shumë prej 20,000 euro, me kamatë mujore prej 5%.

I pandehuri Fatlum Abazi akuzohet se gjatë periudhës 2011-2015 i jep borxh të dëmtuarit shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat llogaritë dhe merr fajde. Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka marr nga i pandehuri para borxh në shumën totale prej 37,700 euro, derisa është dashur t’i kthej 80,350 euro.

Me këtë Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kurse, të pandehurit Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu në bashkëkryerje për periudhën 2014-2015 kishin marrë në emër të fajdesë shumën 7,700 euro, ndërsa në vitin 2013 shumën prej 3,300 euro.

Në bashkëkryerje këta po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. /BetimipërDrejtësi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco