Si raportuan gazetarët kosovarë ditën që u shpall pavarësia e Kosovës?

Si raportuan gazetarët kosovarë ditën që u shpall pavarësia e Kosovës?

17:36, 17/02/2023

Shkruan: Ardiana Thaçi

Mëngjesi atë ditë ishte më i hershëm - ora 4:50 të gjithë ishim në punë, në fakt askush nuk kishte fjetur as atë natë, por as netët e 2 javëve më parë. Po prisnim të bëheshim pjesë e historisë sonë, historisë së shtetit tonë. Shumë prej nesh ishim fëmijë të rritur mes flakësh, shtypjes e dhunës. Dhe, më të lumtur se çdo herë po prisnim të ishim "Maratonomakët" e shtetësisë sonë, të jepnim lajmin e përfundimit të maratonës së të parëve tanë, gjyshërve, prindërve por edhe të brezit tonë.

Fytyrat tona ishin plot gaz, rrathët e pagjumësisë nuk shiheshin, ishim të rinj dhe në një formë ose tjetrën e dinim se do të shkruanim historinë, do të prezantonim para botës gëzimin e krenarin për ditën "D".

Mbaj mend që askush nuk e dinim orën e saktë, se kur Kuvendi do të shpallte SHTETËSINË.

- Adriatiku nisi mbledhjen dhe morëm detyrat, unë e Atdheu u nisëm për në qytetin e Pejës. Gjatë gjithë rrugës këndonim, dielli lindi ndërkohë dhe për kilometrat deri në destinacion ne pamë se si as qytetarët nuk kishin fjetur.
Peja gëlonte nga njerëzit, fytyrat e tyre flisnin më shumë se sa fjalët, po prisnin ditën e mëvetësisë, ëndrrën e prindërve dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Flisnim me të njohur e të panjohur sikur të ishim familje.
Isha në delirium, isha një grua shtatzënë dhe gjithë kohën thosha me vete, fëmija im do të jetë fëmija i pavarësisë, fëmijëria e tij nuk do të jetë si e prindërve të tij, jeta do ti buzëqeshte e do të ishte si për të gjithë fëmij’ët e botës, që rriteshin në shtetin e tyre të lirë.

- Vendosëm kamerat në ballkonin e objektit të vjetër të Komunës së Pejës, nga aty shihej sheshi plot njerëz, muzika nuk ndalej e as vallëzimi, ora eci shpejt deri tek ora 15, kur minutat na dukeshin sikur ngecën, sikur kishim frikën se diçka do të ndodhte dhe ne nuk do të mund ta preknim finishin e asaj që po e prisnim...

Pas pak në një televizor të vjetër dëgjuam fjalët "Kuvendi i Kosovës shpall Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.”
Dhe, pamë që festa ende s’kishte nisur, lotët e të gjithëve nuk tregonin vetëm gëzimin, ndjenjën e të qenit shtetas të një vendi të vuajtur, por si mirazh flisnin edhe për shpresën për të nesërmen për një jetë normale që po e prisnim.

Në mbrëmje u mblodhëm të gjithë në redaksi dhe morëm përgëzimet pasi misioni kishte përfunduar, ne ishim "maratonomakët" e pavarësisë. Kosova po mbyllte ditën një të shtetësisë dhe ishte koha që edhe ne ta shijonim festën...
Rrnofsh sa malet shteti im [🇽🇰]

P.s. në foto vetëm disa prej nesh - raportuesve të pavarësisë.

15 vjet më vonë, disa kanë ndërtuar jetën jashtë Kosovës, të tjerë janë në politikë e diplomaci. Ndërsa disa prej nesh përfshirë edhe mua vazhdojmë të qëndrojmë aty ku ishim në media, ani pse të shpërndar në redaksi të ndryshme.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco