Kosova në ëndrrat e një 13 vjeçari, që edhe pas 15 vitesh nuk u bë plotësisht realitet

Kosova në ëndrrat e një 13 vjeçari, që edhe pas 15 vitesh nuk u bë plotësisht realitet

16:57, 17/02/2023

Acari i asaj të diele, 17 shkurt 2008, ishte mjaft i madh, dukej sikur Zoti kishte vendosur të ngrinte gjithçka, edhe gjakun në vena, kur fytyra takohej me ajrin e ftohtë. Mirëpo, përkundër atij të ftohti që buronte nga dimri, e zjarrtë ishte dëshira për t’u shënuar një hap historik, të jepej një vulë e përbërë nga gjaku i dëshmorëve, të hapej një derë e re, mbi të gjitha, të kishim identitet.

17 shkurt 2008. Në pasditen e kësaj të diele, Kosova tashmë ishte shtet i pavarur, demokratik, dhe mbi të gjitha, sovran.

Emocionet për këtë ditë ishin nga më të ndryshme, sidomos për ‘deklaratën e pavarësisë’ që ka mbetur në kokën e thuajse secilit qytetar; “ne, të zgjedhurit e popullit tanë, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, të thëna nga kryeministri i saj kohe, Hashim Thaçi, dukej sikur ishte ajo ndjenja që na mbushi atë boshllëkun, u plotësua ajo dëshira e kahmotshme, ajo ëndrra me të cilën u rritëm.

Atëbotë, unë isha vetëm 13 vjeçar dhe nuk i kuptoja mirë situatat politike të asaj kohe, por, isha mjaft i vëmendshëm se ku ishte synimi, çka duhej bërë dhe si duhet vepruar tutje.

Ndonëse ëndrrat e një 13 vjeçari të asaj periudhe nuk mungonin, padyshim që e ardhmja në një shtet me ligje të saj, dukej sikur do ishte më e mirë, më e lehtë dhe mbi të gjitha, me një liri të garantuar duke e gëzuar me gjithë njerëzit me të cilët je rritur, do merrnim frymë lirshëm, pa frikën se do e shihnim tytën e armës së armikut famëkeq.

Mirëpo, duke u rritur, gjërat kuptohen më mirë!

Ishte mosha 18 vjeçare kur mendova të nisja studimet në gazetari, duke dashur kështu që në një formë apo tjetrën, të jap një kontribut në shoqëri, e që padyshim, raportimi për ngjarjet në vend, të cilat ndikojnë në të ardhmen e qytetarëve.

Studimet mbaruan, puna nisi dhe gjatë 10 viteve e deri më sot, Kosova u përball me shumë sfida, kaloi shumë provime, mbi të gjitha, u rezistoi gjithë atyre që deshën ta zhdukin, ta vidhnin apo t’ia humbin identitetin.

Sot, si 28 vjeçar, shoh jo shumë gjëra nga Kosova e ëndrrave të mija si 13 vjeçar.

15 vite pas, Kosova që kisha menduar unë, mbase edhe shumë i ri tjetër, nuk është. Kosova sot fatkeqësisht po zbrazet, ata që dikur i kisha pranë, miqtë e fëmijërisë, shumica prej tyre tashmë janë në vendet evropiane, për një të ardhme më të mirë.

Ndonëse moti është ngrohur sot edhe pse shkurt, duket sikur zemra është ftohur pak, kur shihet gjendja reale dhe nëse e kthejmë kokën pas, nuk gjejmë asgjë në atë që kemi shpresuar.

Pos situatës politike, shpeshherë të brishtë, në këtë 15 vjetor, me apo pa dëshirën tonë shohim ngecje edhe në fushat tjera, në shëndetësi, në arsim  e ekonomi.

Kush me më shumë faj, e kush më pak, dielli në Kosovë duket s’i s’po rrëzon më njëjtë, thuajse çdo ditë raportohet për një dukuri apo tjetrën!

Sot, kosovarët janë të izoluar pa viza, pa mundësi integruese, mbi të gjitha, duken mjaft të dëshpëruar, se përse ëndrra nuk iu doli, ashtu siç ata e kanë dashur.

Mirëpo, me gjithë këto, shpresa për të punuar dhe zhvilluar këtë tokë që nga poshtë po e mbajnë eshtrat e dëshmorëve, nuk duhet shuar asnjëherë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës na dha themelin e fortë, kurse, klasa politike duhet të dijë që ta ndërtoj murin e fortë të shtetit, ku nuk mund të depërtojë armiku, por, as ky mur të rrëzohet mbi kurrizin e qytetarëve brenda e saj!

Kosovë e Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës dhe e gjithsecilit që dha për këtë vend, jetofsh më shumë se 100 vjet!

Autor: Erdonit HOXHA, Syri Kosova, 17 shkurt 2023.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco