Festa e 17 Shkurtit 2008 nëpërmjet fotove dhe videove

Festa e 17 Shkurtit 2008 nëpërmjet fotove dhe videove

12:48, 17/02/2023

Sot bëhen 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ngjarje e cila ishte historike për popullin tonë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte një kurorëzim i dhimbshëm i një rrugëtimi mes lotëve dhe gjakut të atyre qe dhanë jetën për liri.

Për vite me radhë e deri në qershor të vitit 1999, kosovarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik regjimi serb në krye me Millosheviqin. Por, nga 12 qershori i vitit 1999 me hyrjen e NATO-s, forcat serbe u detyruan të largoheshin përfundimisht nga Kosova.

Nga atëherë e deri tek data 17 shkurt 2008, Kosova administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës.

Më 2 shkurt të 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e e tij në Prishtinë e Beograd për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap ky që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Pas disa vitesh negociatash dhe konfliktesh me Serbinë, Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Leximi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës 15 vite më parë është bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të Presidentit të atëhershëm, Fatmir Sejdiu, dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

DEKLARATA E PAVARËSISË:

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”— 17 shkurt 2008 – Prishtinë-

Shpallja e pavarësisë së Kosovës u njoh nga një numër i madh vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, Kosova ende nuk njihet nga Serbia, e cila vazhdon ta jetë destruktive në raport me shtetin tonë.

17 Shkurt 2008

Shpallja Kosovës shtet ishte kulmi i një lufte të gjatë për vetëvendosje dhe populli i Kosovës ishte personazhi i vërtetë i ngjarjes, me pasionin, guximin dhe qëndrueshmërinë e tij përballë fatkeqësive.

Në këtë ditë, 15 vjet më parë, mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Prishtinës dhe gjithë qyteteve tjera të Kosovës, për të festuar lindjen e kombit të ri. Festa vazhdoi gjatë gjithë ditës dhe gjatë natës, me fishekzjarre, koncerte dhe festa të tjera të ndryshme kulturore.

Poashtu, në ditën e shpalljes së Pavarësisë u zbulua monumenti i parë i madh që përkujton pavarësinë e Kosovës NEWBORN. Ky monument u punua për 10 ditë pa ndalë; ditë e natë. “Newborn” u zgjodh si një fjalë angleze që ka fuqinë për ta përshkruar ditëlindjen e një shteti të ri. Konotacioni i saj pozitiv, lehtësia për t’u kuptuar nga të gjithë, dhe potenciali i saj për të paraqitur Kosovën si një shtet të ri bashkëkohor dhe trendi. Ngjyra e verdhë është zgjedhur për t’u kombinuar me banderolat ngjyrë të kaltër si dhe me sloganet përkrahëse që përfaqësojnë edhe flamurin e ri të Kosovës, po ashtu edhe ngjyrat e flamurit të BE-së.

Festa e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, nëpërmjet fotove dhe videove:

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco